Me qëllim të verifikimit të bizneseve nëse janë duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponit fiskal, Administrata Tatimore e Kosovës këto ditë është përqendruar te tatimpaguesit, tek të cilët kërkohet të fiskalizohen, por nuk janë të pajisur me PEF/SF, tek ata tatimpagues që janë të pajisur me PEF/SF, por nuk lëshojnë kuponë fiskal, si dhe tek ata tatimpagues që lëshojnë kuponë jo-fiskal dhe përdorin pajisje jo-fiskale.
Sipas njoftimit të ATK-së aktivitetet në teren janë duke u zhvilluar te ato biznese, për të cilat ATK ka pranuar informacione se nuk janë duke lëshuar kuponë fiskal, tek të cilat më pas është konstatuar përdorimi i printerit jo-fiskal.
Administrata Tatimore e Kosovës rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF) / sistem fiskal (SF) dhe të lëshojnë kuponë fiskal.
Sipas ATK-së disa nga veprimtaritë, si: tregti, prodhim, shërbim, shëndetësi, hoteleri, arsim, transport, artistike-zbavitëse, etj., nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK u bënë thirrje që të pajisen me PEF/SF dhe të lëshojnë kuponë fiskal.