Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës.
Ishte kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq, i cili ka shpallur fitoren me mbi 65% të votave në këtë komunë.
“Kena fitu. Faleminderit shumë. Komunën Veriore të Mitrovicës unë si kandidat kam dalur si fitues i këtyre zgjedhjeve i kësaj sfide. I falënderoj të gjithë qytetarët fillimisht ata që kanë punuar pa u ndalë, të gjithë komisionerët, vëzhguesit, përkrahësit. I falënderoj të gjithë ata edhe që s’më kanë votu, do të jem kryetar komune i të gjithë qytetarëve pa dallim. Po na presin punë të mëdha përpara. I apeloj të gjithë qytetarëve që po na ndjekin nëpërmjet kanaleve tuaja që të kenë besim në institucionin e komunës edhe në mua si kryetar komune”, tha Atiq.
Atiq ka shtuar se janë të vetëdijshëm për sfidat dhe se janë të gatshëm dhe me padurim po presin bashkëpunim me të gjitha komunitetet.
Sfidat janë të shumta ka shtuar ai dhe do të kujdesemi që bashkarisht ti përmirësojmë shërbimet komunale. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka prezantuar një ofertë që nuk mund të jetë Vuçiq dhe Radojçiq përcaktues në qeverisjen e Kosovës.
Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1567 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo u bë e ditur në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind. Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe.