ASK: Deficit tregtar më i lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023 krahasuar me dhjetor 2022
Lexohet për: 3 min.
import-export
1 vit më parë
Linku u kopjua

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2023.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë Euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 12,0%.

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2023 kishte vlerën 65,4 milionë Euro, ndërsa importi 543,1 milionë Euro, që është një rënie prej (-9,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 4,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18,5% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,8% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,6% e përbëjnë produktet minerale; 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,5% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike; 8,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18,7 milionë Euro, ose rreth 28,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,0%), Italia (4,2%), Holanda (2,1%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 225,3 milionë Euro, ose 47,0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17,5%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,8%), Greqia (5,6%), Italia (4,3%), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,0 milionë Euro, ose 42,7% të eksporteve  të përgjithshme, me një rënie prej (-5,9%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18,3%), Maqedonia e Veriut (12,5%), Serbia (5,8%), Mali i Zi (4,9%).

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,1 milionë Euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-25,5%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,4%), Maqedonia e Veriut (4,4%), Serbia (1,8%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 18,7 milionë Euro, ose 28,7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (13,2%) dhe Zvicra (8,9%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 218,7 milionë Euro, ose 40,3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,9%) dhe Kina (10,1%).

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025