Shteti ynë kombëtar, përveç kontributit të etërve të kombit tonë, është bërë veçmas fal aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila disa emra të përveçëm, ndër të cilët i pari është Presidenti Woodrow Wilson, që i dha frymë jete Shqipërisë, i dyti është Presidenti Klinton, që e shpëtoi kombin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi dhe i treti është Presidenti Bush i Riu, që Shqipërisë ia hapi dyert për NATO, ndërsa Kosovës ia shtriu dorën për ta ngritur në shtet të pavarur dhe sovran.
Kështu ka thënë profesori Skender Asani në shënimin e 100 vjetorin e vdekjes së Presidentit W.Wilson të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
Fjalimi i plotë:
Sot, një shekull më parë, ka qenë dita e parafundit e jetës së Presidentit të 28-të amerikan, Woodrow Wilson. Pas mbylljes së kësaj dite, të nesërmen – më 3 shkurt 1924 – ai u nda përgjithmonë nga kjo botë, duke lënë pas vetes një trashëgimi të begatshme politike, intelektuale e humane, e cila vazhdon të japë fryte edhe sot e gjithë ditën.
Në kohën kur botën e përfshiu Lufta e Madhe, në vitet 1914-1918, kur po binin tre perandori shekullore dhe po ngriheshin shtetet kombe, ishte një arkitekt që me delikatesë po e dizajnonte këtë botë të re, ku – veç tjerash – në hartë e gjeti veten edhe kombi ynë. Duke e vendosur parimin e vetëvendosjes së kombeve në Konferencën e Paqes, ai i mësoi liderët europianë se duhej hequr dorë nga mendësia kolonizuese e egocentrike, për të ndërtuar një botë ku secili komb do ta projektonte të ardhmen e tij. Në këtë mënyrë, edhe shqiptarët për herë të parë në histori e gjetën shtegun, përmes të cilit mund të barazoheshin me kombet e kontinentit të vjetër. Ndonëse veprimtaria e tij politike nuk ishte ekskluzivisht për shqiptarët, sepse ai e shihte botën përtej këtyre kornizave, s’do mend se më shumë se gjithkush kontributit të tij iu gëzuan shqiptarët. Pas disa shekujve të kaluar në Perandorinë Osmane, kur kombet fqinjë e kontestonin edhe ekzistimin e një kombi të veçantë shqiptar, Presidenti Wilson e hapi rrugën që edhe shqiptarët ta kenë shtetin e tyre kombëtar. Prandaj ne, më shumë se gjithkush tjetër, jemi mirënjohës për të dhe prandaj ne jemi të vetmit që e kujtojmë me kaq admirim dhe nderim edhe sot personalitetin e tij.
E se ne jemi komb falënderues dhe mirënjohës, këtë jemi munduar ta dëshmojmë edhe në vepër. Besoj se shumica prej e jush e di dhe, madje, kjo sallë flet vetvetiu, por dua t’jua kujtoj se në 100-vjetorin e Konferencës së Paqes, më 2019, një delegacion i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup qëndroi në vendlindjen e Presidentit Wilson, në Staunton të Virginias, duke u shndërruar në befasi të këndshme për drejtuesit e këtij vendbanimi të vogël. Me këtë rast, në Muzeun dhe Bibliotekën Presidenciale, që janë krijuar në shtëpinë ku ka lindur Presidenti, u organizua një ceremoni falënderimi, ndërsa në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington u hap edhe një ekspozitë dokumentare dhe u promovua pulla postare e Postave të Maqedonisë së Veriut me portretin e Presidentit. Përveç kësaj, ky delegacion e vizitoi edhe shtëpinë në të cilën Presidenti i ka kaluar ditët e fundit të jetës, në Kalorama të Uashingtonit, dhe vendosi lule të freskëta mbi varrin e tij në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.
Krejt këtë përkushtim e dedikim, si edhe këtë përkujtim sot, e bëjmë me të vetmin qëllim, që së pari t’ia përsërisim vetes e pastaj t’ua ngulisim edhe brezave pas nesh se ne jemi komb mirënjohës e falënderues për faktin se shteti ynë kombëtar, përveç kontributit të etërve të kombit tonë, është bërë veçmas falë aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, kjo aleancë i ka disa emra të përveçëm, ndër të cilët i pari është Presidenti Wilson, që i dha frymë jete Shqipërisë, i dyti është Presidenti Klinton, që e shpëtoi kombin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi dhe i treti është Presidenti Bush i Riu, që Shqipërisë ia hapi dyert për NATO, ndërsa Kosovës ia shtriu dorën për ta ngritur në shtet të pavarur dhe sovran. Shprehur ndryshe, presidentët Klinton dhe Bush e vazhduan aty ku e la Presidenti Wilson.
E duke dalë përtej subjektivizmit dhe temës së falënderimit, do të thosha se – si pak presidentë të tjerë – Presidenti Wilson mbahet mend në histori edhe si fitues i Çmimit Nobël për Paqe, të cilin e mori si meritë për paqen e arritur pas Luftës së Parë Botërore, ndërsa merita e tij e dytë është projekti i Lidhjes së Kombeve, që mund të konsiderohet si një pararendëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me të cilën ai synonte t’i zgjidhë mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndëretnike e ndërracore, duke propozuar madje dhe gjykata ndërkombëtare të drejtësisë, për të siguruar paqe afatgjate në botë. Prandaj, idetë e tij kaluan përtej dimensionit të diskursit të rëndomtë politik, duke u shndërruar në mendim politik, që edhe në shkencë njihet si Wilsonizëm.
E duke ju falënderuar që sot ishit në këtë takim përkujtimor, duke e falënderuar Postën e Maqedonisë së Veriut për botimin e pullës së re në 100-vjetorin e vdekjes së Presidentit Wilson, dëshiroj edhe njëherë ta falënderoj SHBA-në për gjithçka që kanë bërë dhe vazhdon të bëjë për kombet e vogla, siç jemi edhe ne shqiptarët.
Qoftë i përjetshëm kujtim për Presidentit Wilson dhe qoftë e përjetshëm miqësia shqiptaro-amerikane!