Arti si interpretim
Lexohet për: 12 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, “MALËSORJA e Nazmi Rrahmanit ose Arti i interpretimit“, studim letrar, botoi Sh. B. “Faik Konica“, Prishtinë 2002, faqe 238. ISBN 9951-06-002-1.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Ndarja në Fushë të Kosovës

”Më në fund edhe ai u përshëndet me fëmijët e vet, të nesërmen edhe me mua në stacion të trenit në Fushë të Kosovës. Kur u nis treni ai mbeti i vetmi njeri në peronin e stacionit që na shikonte se si po largoheshim. Ishte 29 prilli 1999 kur përfundimisht ai mbeti në stacionin e trenit në Fushë të Kosovës, i vetmi njeri që po përcillte dikend te treni që na largonte neve. Përfundimisht kishte vendosur të mos e braktiste shtëpinë e tij dhe Prishtinën!“[1], ka shkruar i vëllai Zena, autor e studiues dhe profesor i teorive letrare në Universitetin e Prishtinës, pra kështu ka shkruar një vëlla e mik, e kjo nga aspekti psikologjik është me vlerë më të madhe jo vetëm letrare por edhe etnokulturore, vlera tashmë të pakta, të rralla dhe periferike. Ky fragment na jep për të besuar se shoqëria jonë, kombi ynë, do të gjejë forca për ta marrë veten dhe për t’i kthyer ato vlera që i ka marrë përpara ai Përroi i Keq, i veprave të këtij romansieri.

Retrospektiva e një ndijimi

Edhe pas kaq e kaq vitesh, kur lufta është harruar(?!) e kur pasojat e saj tashmë kanë dalë më në horizont, ky fragment ta ndalë frymën, t‘i stepë ndjenjat, të shokon, të kthen në atë kohë, t’i ndezë halucinacionet sa për një kohë nuk mund ta marrë njeriu veten. “Përmes teknikës së retrospektivës”[2] autori e ka rikthyer ndijimin artistik për qasje të këtij lloji në një vepër letrare.

Po çfarë kohe ishte, në cilat rrethana tragjike qenka mbushur me këtë frymëzim të hidhët shkrimtari e studiuesi. Vërtet një përshkrim elegjiak e aq dokumentar tragjik për tragjiken e madhe të cilën e kemi harruar në dalldisjet e pafundme pas epsheve[3] morale dhe pas vlerave kapitale duke rrënuar koncepte sociale e kulturore kudo.

Arti si fenomen dramatik

E nëse këtë studim e shikojmë me llupën e atyre rrethanave të cilat kanë mundur të ndikojnë në vetëdijen e autorit, studimi si tërësi “Malësorja e Nazmi Rrahmanit ose Arti i interpretimit“ mbetet një dokument autentik i kohës, parë nga prizmi i teorive letrare, por një kronologjie që ka ndikuar në vetëdijen e autorit nuk mundemi t’i shmangemi. ”Arti i interpretimit“ është botuar në vitin 2002, d.m.th. vetëm dy vite pas përjetimit tragjik e të trishtueshëm, që lexohet edhe brenda atyre rreshtave të fragmentit që nxorëm më lart. Shtrohet pyetja nëse mund ta shkëpusim këtë studim mbi nocionet letrare dhe për “Artin e interpretimit“ nga ato ngjarje nga ato rrethana, pasi si duket ka gjetje, sidomos elementi tragjik, mbi tragjeditë që kanë ndodhur në ato rrethana, ka trishtim të skajshëm dhe ka interpretim figurativ që u shkon rrethanave të asaj kohe kur është ndikuar e frymëzuar studiuesi për t’i kapur ato vlera ato detaje të hollësishme e të befasishme për mendjen dhe syrin e secilit. Natyrisht, brenda trajtimit dhe hulumtimit letrar ka halucinacione dhe veprime të çmendura, frikë për zhbërje e zhbirje nga faqja e dheut. Por ka edhe shpresë për mëkim e tejkalim, për të dalë në dritë të ndritshme.

Hipotetizmi dhe qasja për një psikanalizë të tekstit

Tash, nëse studimin e shohim nga aspekti i psikanalizës, kollaj mund të shtrohet një pyetje hipotetike, nëse studimi është rezultat i kërkimeve në fushën e teorive letrare, apo autori është ndikuar nga tragjika e ndarjes me të vëllain, të cilin e ka pasur edhe idol të romanit Malësorja? Që do të ishte interpretuar se hipotetizmi është dukuri që mund të hulumtohet edhe nga aspekti i psikanalizës së një studimi, madje edhe i një vepre letrare siç është romani Malësorja, i Nazmi Rrahmanit.

Për të nxjerr një krahasim hipotetik në mes studimeve letrare dhe ndikimit të atyre rrethanave në konceptin e qasjeve, mund të kuptohet nga parathënia, por libri si tërësi tematike, nuk flet vetëm për ”Artin e interpretimit“ sado që gjithçka është parë nën prizmin e pedagogut, ligjëruesit të teorive letrare, studiuesit të zellshëm dhe njërit nga shkrimtarët më të mirë të brezit të tij, siç është Zena, por qasja dhe studimi mbi romanin Malësorja, është produkt i rrethanave, i ndikimeve prandaj studimi është bërë si qasje ndryshe në raport zhvillimeve e ndikimeve që ka kaluar kombi ynë dhe vetë autori, ose ndikimi i pashmangshëm i të vëllait që ka mbetur vetëm në Prishtinë, për t’i mbetur besnik veprës së tij dhe atdheut për të cilin ka bërë më shumë se kushdo tjetër shkrimtari Nazmi Rrahmani, i cili do të mbetet figura më e kompletuar e letërsisë dhe e brezit të tij, si qytetar, si intelektual, por edhe si Njeri.

Pa dyshim ”Arti i interpretimit“ është dokument autentik i atij realiteti, është fryma e trishtimit të tij, e çmendisë dhe çmendurisë së pushtuesit, dhuna dhe marrëzia si proces i zhbërjes dhe rreziku nga shpërngulja, degdisja dherave të huaja e kontinenteve të largëta. Padyshim vepra është rezultat i rrethanave sociopolitike, halucionacione të cilat jo secili mund t’i kontrollonte e t’i emanciponte për t’i futur në shërbim të letërsisë, studimit, dokumentit origjinal që përshkruan si art trishtimin, dhe interpreton situata duke i trajtuar ato në dritën e teorive letrare, koncepteve psikologjike, që nuk mund të përshkruhen kollaj, e aq më pak nga secili, veçmas nëse lënda shikohet nën llupën e psikanalizës.

Arti si interpretimi artistik e letrar

Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, më këtë studim për romanin Malësorja, ka nxjerrë në pah tërë opusin e tij pedagogjik, afinitetin e një profesori erudit dhe të intelektualit të përkushtuar. Tashmë studimi "Arti i interpretimit" nuk mund të kufizohet vetëm studim i ngushtë për romanin Malësorja, sepse aq sa është përmbledhur jeta e Kosovës, e banorëve të saj, veçmas e gruas shqiptare, brenda romanit, po aq sqarohet në këtë studim me komentime edhe realiteti i gjithmbarshëm i atyre rrethanave.

Gjithsesi ky mendim kaq i stërholluar dhe i detajuar u përket të gjithë qytetarëve të Kosovës, që kanë kaluar nëpër purgatorin komunist, i cili gati në çdo dhjetëvjetësh u tregua i ashpër, i pamëshirshëm dhe armiqësor kundër shqiptarëve dhe përgjithësisht kundër qytetarëve të Kosovës.

Jeta dhe shkrimi

Shënimi "Jeta dhe shkrimet e Nazmi Rrahmanit" mbetet biografia më sublime për shkrimtarin Nazmi Rrahmani, për jetën, shkollimin, punën dhe shkrimet letrare të tij. Një tekst konciz, i shkurtër dhe përmbajtjesor në të cilin është përthekuar mirë, bukur e saktë fizionomia njerëzore, letrare e politike e shkrimtarit.

Një dokument origjinal, ndër më të mirët që i ka letërsia shqipe, sidomos pjesa e programit arsimor, që u dedikohet nxënësve dhe studentëve në Kosovë, dhe më tej kudo në hapësirën shqiptare.

Ne që jemi të interesuar për të mësuar rrethanat shoqërore e politike në të cilat u formësua shkrimtari e gjejmë në këtë parathënie të librit, aty zbulohet e tërë bota emocionale dhe mësohen rrethanat që ndikuan në formimin dhe botëkuptimin letrar të Nazmi Rrahmanit.

Ndikimi sociopolitik në formimin e veprës dhe autorit

Në vazhdim prof. dr. Zejnullah Rrahmani, "ka skicuar një numër çështjesh shumë të rëndësishme të jetës shqiptare në Kosovën prej Luftës së Dytë Botërore deri me hyrjen e forcave të Natos në Kosovë."[4], por për periudhën kur u shkollua dhe u formua autori i Malësores, autori ka theksuar se "partizanët (kur i) kishin vrarëarmiqtë e socializmit, vendosën pushtetin më çnjerëzor të njohur ndonjëherë nga shqiptarët: socializmin jugosllav"[5] kjo sintagmë na i sqaron më mirë dilemat, ato rrethana politike, dhe sqaron edhe klimën në të cilën i ka shkruar romanet, Nazm Rrahmani, i cili guximshëm ka prekur temat e ndieshme, të përgjakshme nëpër të cilat kaloi populli ynë, prandaj studimi i tyre në prizmin e ndryshimeve të rrethanave shoqërore e politike është kërkesë imediate e kohës, dhe nevojë e pashmangshme e sistemit edukativ e arsimor në Kosovë, nëse duam të mësojmë se si u krijua Letërsia Bashkëkohore në Kosovë dhe në çfarë rrethanash u krijua edhe romani modern i Kosovës.

Tematika e studimit letrar

Në tërë studimin e tij, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, ka zbërthyer aspekte sociologjike, tematike e psikologjike të personazheve dhe karaktereve të tyre, duke i shpjeguar e krahasuar në kontestin e rrethanave e të atij niveli sociokulturor që kishte shoqëria e fshati shqiptar në përgjithësi. Edhe pse romani Malësorja, nuk është i ndarë në kapituj të veçantë, profesori dhe studiuesi i teorive letrare, arrin ta bëjë këtë, duke e ndarë romanin në 4 pjesë të mëdha dhe në një varg temash me tematikë për t’u analizuar e komentuar si duhet. Pastaj çdo detaj veç e veç është analizuar, trajtuar e komentuar, duke folur për rolin e secilit personazh dhe duke shkoqitur secilën ngjarje të zhvilluar brenda romanit. Një pasqyrim jo vetëm profesional e intelektual por profesori ka dhënë ndihmesë profesionale për t’u kuptuar romani saktë, më mirë edhe nga shtresa të tjera të lexuesit.

Pra, siç thamë, romani ndahet në katër pjesë të mëdha. Pjesa I, ka 9 Kapituj të cilët shoqërohen me 9 Komente, në të cilat zbërthehet tematika dhe ngjarja, kurse në pasuset tematike edhe rastet e veçanta. Komentet, janë metodologji pedagogjike, andaj lexuesi do të kuptojë fare lehtë qëllimin e romanit, të individit dhe ndodhisë brenda atij fragmenti që merret për diskutim. Ngjashëm ka vepruar edhe në Pjesën II, ku janë përfshirë 2 Kapituj që shoqërohen po ashtu me 2 Komente për diskutim. Pjesa III, përbëhet nga 4 Kapituj të cilët po ashtu kanë 4 Komente, dhe Pjesa IV, përbëhet nga 2 Kapituj, të cilët gjithashtu shoqërohen me 2 Komente, por si tërësi, studimi kompletohet në mënyrë të shkëlqyeshme duke hapur horizonte të reja për interpretime letrare, psikologjike e aspekte të tjera.

Gjithashtu, në vijim të këtij studimi janë shtjelluar disa nga karakteret kryesore të romanit, dhe është bërë një interpretim i lëndës si pikëshikime, analiza, strukturë organike, aspekte estetike, karakterizime të tjera letrare, sociologjike, etnografike, filozofike, e psikologjike, duke krijuar kështu një mozaik të tërë artistik, sa të mbushet mendja, se nuk ka lënë ngjarje a ndodhi pa prekur. Por si njohës i teorive letrare, dhe si pedagog që është, profesor Zejnullah Rrahmani, nuk e mbyll rrethin, prandaj ai ka shtruar nevojën për zgjerim të studimeve edhe në aspekte të tjera, qoftë të karakterit psikologjik ose tematik, pasi ka mundësi të shumta dhe të pashtershme. Ndoshta në këtë pikë përputhet edhe studimi ynë, i cili merret me disa aspekte të psikanalizës, jo për të plotësuar këtë kriter sa si vetëdije se fusha e studimeve letrare ka mundur t’i prek e shterojë dukuritë dhe tematikën e romanit Malësorja, më mirë e më saktë, qoftë si studime të veçanta, e qoftë si diskutime në kuadër të sistemit arsimor, ku jo pak romani Malësorja, dhe romanet e tjera të këtij autori kanë qenë pjesë e studimit dhe komentimit. "Megjithatë, një vepër si kjo, ka shumë kuptime të cilat edhe më tutje mbeten anash, jashta cilitdo studim, prandaj edhe jashta këtij" studimi ka shkruar në librin "Arti i interpretimit" profesori i teorive letrare Zejnullah Rrahmani, gjë që na motivon, për të pasur zemër në disa interpretime, parë në një prizëm tjetër.

Epilog ose pse duhet lexuar "Arti i interpretimit"

E pasi segmente të këtij studimi janë përmendur brenda shkrimit nëpër pasuset e caktuar, vendosëm ta mbyllim këtë shënim me konstatimin se ata të cilët e kanë lexuar romanin Malësorja, veçmas ata të cilët mëtojnë për ta trajtuar, të mos e lëshojnë rastin pa e lexuar me ngadalë e me pasion, kujdesshëm e vëmendshëm studimin në fjalë. Vërtet nëse dëshirojnë për ta kuptuar më mirë efektin letrar, psikologjik dhe sociologjik të romanit dhe qasjet e tyre për të qenë më të sakta, qoftë në raport me ndodhinë brenda romanit, e qoftë si detyrim profesional në raport me teoritë dhe nocionet e shtjelluar për "Romanin e Madh - Malësorja" të Nazmi Rrahmanit.

*Marrë nga libri i Shefqet Dibranit, “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin ‘Malësorja’ të Nazmi Rrahmanit”, studim letrar, Prishtinë 2021, faqe 331- 338.


[1] Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, “Malësorja e Nazmi Rrahmanit ose Arti i interpretimit“, studim letrar, botoi Sh. B. “Faik Konica“, Prishtinë 2002, faqe 16.

[2] Po aty, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, faqe 35.

[3] Pajazit Nushi, "Fjalor shpjegues i psikanalizës,” ASHAK, Prishtinë 2010, faqe 84.

[4] Po aty, faqe 19

[5] Po aty, faqe 20

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024