Policia holandeze arrestoi aktivisten për klimën Greta Thunberg në protestat e sotme në Hagë, njoftuan mediat. Policia lokale e futi Gretën në një autobus së bashku me protestuesit e tjerë që u përpoqën të bllokonin autostradën kryesore drejt Hagës. Thunberg iu bashkua protestës së qindra aktivistëve dhe ajo u ndalua në momentin kur iu bashkua një grupi prej rreth njëqind personash që u përpoqën të bllokonin autostradën A12. Në muajt e fundit, aktivistët kanë tentuar dhjetëra herë të bllokojnë të njëjtën autostradë, duke kërkuar heqjen e të gjitha subvencioneve për përdorimin e lëndëve djegëse fosile. Në protestat e mëparshme, policia i çoi protestuesit e ndaluar në një pjesë tjetër të qytetit, por ata u liruan shpejt pa pasoja të mëtejshme. Policia lokale nuk ka komentuar arrestimin e Thunberg.