Autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri i kanë arrestuar të mërkurën katër të dyshuar si pjesë e një hetimi ndaj një zjarri të madh në një ndërtesë shumëkatëshe banimi një ditë më parë në kryeqytetin e vendit, Tiranë, ndërsa katër të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar në liri, thanë autoritetet.
Policia e Tiranës tha se të arrestuarit janë administratori i kompleksit të pallateve, inxhinieri që kishte udhëhequr punimet për ndërtimin e tij, si dhe administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e pallatit.
Ndërkohë, i arrestuari i katërt është menaxherja e një dyqani në katin e parë të ndërtesës së prekur nga zjarri, e cila akuzohet për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Policia thotë se menaxherja e dyqanit nuk kishte marrë masa për heqjen e mbeturinave.
Ndërsa, administratori i kompleksit të banimit dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha të mërkurën se ndërtesa e djegur do të rindërtohet “100 për qind nga vetë ndërtuesi”, pavarësisht se të dhënat paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin.