Arrestohen dy persona në rajonin e Pejës, policia konfiskon armë e municion
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Dëgjoje me zë...
Arrestohen dy persona në rajonin e Pejës, policia konfiskon armë e municion
Dy persona janë arrestuar në dy raste të ndara në rajonin e Pejës, nën dyshimin për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, transmeton KosovaPress.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i parë ka ndodhur të martën rreth orës 18:50, në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë.
Sipas policisë, gjatë patrullimit njësitet policore kanë ndaluar një person të dyshuar, tek i cili pas kontrollit në çantën e krahut janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe 17 fishekë të kalibrit 9x19 milimetra.
Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar po të njëjtën mbrëmje rreth orës 22:50, në fshatin Banjë të Istogut.
Policia bëri të ditur se gjatë një pike kontrolli është ndaluar një automjet dhe pas kontrollit në bagazh janë gjetur një pistoletë me karikator, shtatë fishekë dhe një sprej OC.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.
Nga të dy rastet policia ka konfiskuar gjithsej dy pistoleta, dy karikatorë, 24 fishekë dhe një sprej OC.