Trupi gjykues në çështjen Hashim Thaçi dhe të tjerët më 19 qershor në Hagë ka miratuar kërkesën e palës mbrojtëse të Rexhep Selimit për t’i përjashtuar nga procesi disa prova në lidhje me një dëshmitar.
Kjo u bë e ditur sot në një konferencë për media nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Hagës Michael Doyle.
Më 20 qershor, Trupi gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të lejuar dy dëshmitarë të japin dëshmi nëpërmjet video-lidhjes. Njëri prej dëshmitarëve nuk mund të udhëtojë për shkaqe shëndetësore, ndërsa për dëshmitarin tjetër Prokuroria ngriti shqetësime për shkaqe sigurie. Trupi gjykues theksoi se palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve njësoj sikur të ishin në sallë të gjyqit dhe ekipet e Mbrojtjes nuk paraqitën kundërshtime ndaj kërkesës. Trupi Gjykues theksoi gjithashtu se dëshmia nëpërmjet video-lidhjes mund të çojë në proces gjyqësor më të shpejtë”, thuhet në njoftim.
Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është caktuar për të hënën, 1 korrik.