Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës se do të aplikojnë për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian, në mesin e muajt dhjetor ka nxitur reagimin e partive opozitare dhe njohësve të integrimeve evropiane. Ata kërkojnë nga ekzekutivi që paraprakisht të kenë konsultim të duhur me vendet anëtare, pasi marrja e statusit të kandidat është një proces që zgjatë ndër vite. Në anën tjetër, nga kabineti qeveritar thonë se për dorëzimin e aplikimit janë në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtar.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, thotë për KosovaPress, se para aplikimit Qeveria duhet të tregojë se ka vullnet brenda BE-së për të pranuar këtë aplikacion të Kosovës.
Ndërsa, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se dhënia e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE është e vështirë për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
Megjithatë, ai shton se aplikimi është mirë të ndodh për shkak se e vendos Bashkimin Evropian para aktit të kryer.
Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shprehur optimiste se aplikimi për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian do të ketë rezultate.
“Po ka strategji shumë të qartë edhe rreth anëtarësimit në BE dhe ka koordinim me partnerët tanë si në Bashkimin Evropian, por edhe në BE rreth aspiratave tona për anëtarësim në BE-ja. Jo vetëm që ka koordinim por ka edhe mbështetje të fuqishëm për aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo të premten në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë kësaj jave në Bruksel ka qëndruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është takuar me përfaqësues të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian për të diskutuar për planet e Kosovës për aplikim për statusin të kandidatit për anëtarësim në BE.
Sa i përket planeve të Kosovës për aplikim në BE, së fundmi ka folur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charls Michel, i cili tha se ky institucion do të shqyrtojë atë aplikacion dhe më pas do të dalin me qëndrim.