Apeli ndryshon masat ndaj dy të dyshuarve për plagosjen në Mitrovicë
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Apeli ndryshon masat ndaj dy të dyshuarve për plagosjen në Mitrovicë
Gjykata e Apelitt
12/03/2026 - 17:31
Linku u kopjua

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masat e sigurisë ndaj L.D. dhe B.D., të cilët dyshohen se më 11 shkurt 2026 kishin plagosur një person në Mitrovicën e Jugut.

Për KosovaPress është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, se Gjykata e Apelit me aktvendimin e 25 shkurtit 2026 e ka ndryshuar vendimin fillestar.

“Gjykata e Apelit, me aktvendimin e datës 25.02.2026, ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë lidhur me masat e sigurisë ndaj të pandehurve. Ndaj të pandehurit L.D., masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak deri më 11.03.2026, ndërsa ndaj të pandehurit B.D., masa e arrestit shtëpiak është ndërprerë dhe i njëjti është liruar për t’u mbrojtur në liri,” thuhet në përgjigjen me shkrim nga gjykata.

Tutje, nga gjykata theksohet se me përfundimin e afatit të masave të arrestit shtëpiak, të dy të pandehurit tani mbrohen në liri, pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk ka kërkuar vazhdimin e këtyre masave. Kujtojmë se më 11 shkurt 2026, rreth orës 20:33, në Mitrovicën e Jugut ndodhi një incident me armë zjarri, ku një person mbeti i plagosur, ndërsa dy të tjerë u arrestuan.

Sipas Policisë së Kosovës, njoftimi për të shtëna në rrugën “UÇK” ishte pranuar rreth orës 19:26. Hetimet fillestare tregojnë se viktima, një person i moshës madhore, u dërgua për trajtim mjekësor në spital.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, konfirmoi për KosovaPress, se janë arrestuar dy persona.

“Lidhur me rastin, policia ka arrestuar dy të dyshuar, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja,” tha Zahiti.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026