Qeverinë aktuale të Kosovës, analistët e përshkruajnë me një notë kaluese shumë të dobët, pa një program të qartë, objektivë dhe fokus. Sipas analistëve, kryeministri Kurti më shumë se shkuarja në zgjedhje, i intereson përçarja e opozitës në mënyrë që të mos ketë një frymë të fuqishme e cila do ta dëmtonte në kuptim të numrave.
Ndërsa, rreth qasjes së opozitës për zgjedhje, ata e komentojnë se ka filluar të shkojë në drejtim të gabuar, sepse në vend që të sulmojë dhe kritikojë për të rrëzuar qeverinë si zakonisht, tashmë ka filluar një luftë e brendshme ndërmjet opozitës duke kritikuar njëra-tjetrën se po i bënë favore pushtetit.
Ndërsa, analisti tjetër politik, Dritëro Arifi, ka thënë për KosovaPress se opozita përveç deklaratave në rrjete sociale dhe konferencë për shtyp nuk ka pasur ndonjë lëvizje tjetër më serioze për ta lëkundur pozitën e qeverisë.
Tema e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë është riaktualizuar pas takimit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, takim ky që ndodhi pas ftesës së shefit të ekzekutivit ndaj krerëve të partive opozitare, por që u refuzua nga LDK e AAK.
Ai tha se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, të lëshuar më 14 maj, kishte thënë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”.
Data për mbajtjen e zgjedhjeve caktohet nga presidentja e vendit, pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi.
Në bazë të kalendarit zgjedhor zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhej të mbaheshin në vitin 2025. /A. Shala/