Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv thotë se heqja e vizave për qytetarët nga Kosova është hap i rëndësishëm për të dy vendet. Sipas saj, udhëtimi pa barriera do të mundësojë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike e kulturore. Ambasadorja nga Izraeli në intervistën për KosovaPress thekson se kjo tashmë është procedurë e dy ministrive të jashtme, por që pret që shumë shpejt vendimi të hyjë në fuqi. Sa i përket gjendjes pas shpërthimit të luftës në Gaza, diplomatja hebreje thekson se Izraeli është në situatë të vështirë, e që sipas saj fajtor është Hamasi.
Izraeli hoqi vizat për Kosovën, për çka qytetarëve u mundësohet lëvizja e lirë gjatë udhëtimit në këtë shtet, e për këtë ajo thotë se është hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e të dyja vendeve.
Në tre-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ambasadorja Ziv foli për raportet me Kosovën dhe vizitat gjatë kësaj kohe. Ajo tha se gjatë 3 viteve prej se kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, ka pasuar shumë vizita në të dy shtetet, përfshirë fushat e ekonomisë, kulturës e artit.
Duke folur për gjendjen pas fillimit të luftës në Gaza, ambasadorja izraelite thotë se Kosova po mbështet vendin e saj edhe në situatën e vështirë që po kalon nga viti i kaluar. Ziv tha ushtria e Izraelit ka vendosur t’i kundërpërgjigjet sulmit terrorist të Hamasit të 7 tetorit, ku kishin mbetur të vrarë 1200 persona e mbi 5000 të tjerë të plagosur.
Diplomatja hebreje në intervistën KosovaPress thotë se Hamasi është zotuar ta përsërisë 7 tetorin, për çka shton se bashkëjetesa në paqe është zgjidhja më e mirë.
Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka nisur më 7 tetor 2023 pas sulmeve të grupit Hamasit ku mbetën të vrarë rreth 1 mijë e 300 njerëz ndërsa u morën peng 250 të tjerë. Ndërsa sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, lufta në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 26 mijë palestinezë. /Sh.Pajaziti