Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë raportimit në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, i ka quajtur shpifje raportimet në mediat sllovene se i njëjti ka qenë i përfshirë në një skandal për shpëlarje parash.
Para deputetëve, Berishaj ka thënë se kjo çështje ka qenë në media vetëm një ditë para zgjedhjeve në Slloveni dhe se nuk është përmendur më asnjëherë, çka sipas tij është bërë për të ndikuar në zgjedhje.
Berishaj ka thënë se është bërë padia ndaj portalit dhe se tani është në procedurë.
“Unë e kam hedhur në gjyq në Qarkun në Lubjanë për shpifje portalin, i cili ka shpifur, sepse liria dhe e drejta e shtypit nuk nënkupton lirinë për të folur kush çka t’i bie ndërmend, por lirinë e çdonjërit me një të vërtetë të argumentuar dhe nëse ajo e vërtetë nuk argumentohet, pastaj mundësia e tij gjithmonë ekziston që të bëjë padi. Unë e kam bërë atë padi, është në procedurë, andaj ishte vetëm një moment në mediat ndërkombëtare, do të thotë atë natë është përmend në Lubjanë dhe kurrë më, sepse kanë ndodhur zgjedhjet, asnjë televizion, as në agjencinë shtetërore të lajmeve, as televizioni shtetëror as privat, nuk janë marrë me atë problem. Shumicën e gazetarëve tanë i kam pasur studentë këtu dhe u them kur mungon lapsi për të shkruar, baca Martin ta blen lapsin, shkruaj sa të duash, sepse unë jam për atë që në Kosovë të vlejë fjala e lirë, unë për media kosovare nuk kam pushkë, ata e kanë të drejtën të shkruajnë siç kërkohet, por është mirë që të argumentohet”, ka thënë Berishaj.
“MBConsulting është një firmë që e kam formuar në vitin 2017 në Mal të Zi. Ajo nuk funksionon nga viti 2020. Ajo i ka kryer të gjitha obligimet, nuk ka hyrje-dalje, të gjithë obligimet të cilat kanë qenë në formë kontraktuale, është në mbyllje, nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon, nuk është e mbyllur fizikisht, sepse procedura në Mal të Zi është e tillë. Kur jam bërë ambasador as nuk më ka ra ndërmend që të merrem me atë problem”, ka thënë Berishaj.
Ndërsa për një kompani tjetër që figuron në emrin e tij në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, Berishaj ka thënë se të njëjtën e ka shitur në vitin 2019.
“Dua të jem shumë i qartë për ata që e njohin shumë mirë ekonominë, nuk ka asnjë lidhje. Kur i kam dëgjuar është si të thuash, emrin e një firme që i përngjan firmës tjetër qenkam me këtë firmë. Unë GEN-in e njoh natyrisht, është një firmë e cila i ka 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shitblerjes se energjisë, është plotësisht qind për qind në pronë sllovene, kam qenë aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se çka do të duhej të bëjë një firmë e madhe, GEN është e regjistruar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë në vitin 2009, e ka licencën nga viti 2009 dhe bën shitblerje. Nga viti 2019, 2020 unë nuk jam më me ta, pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”, ka thënë Berishaj.
Berishaj ka thënë se ka qenë transparente çdo marrëveshje kontraktuale në mes kompanisë GEN dhe kompanisë së tij në Mal të Zi.
Berishaj ka thënë se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë komunikim me kryeministrin Albin Kurti, ministrat apo zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës lidhur me krizën energjetike.
Deputeti Abelard Tahiri e ka pyetur Berishajn nëse mjetet nga kompania GEN që kanë përfunduar në kompaninë e tij, janë përdorur për ndonjë fushatë zgjedhore të kryeministrit Kurti, çka është mohuar nga ambasadori Berishaj.
Periudha e hetimit nga ana e këtij komisioni parlamentar është 1 korrik 2021 deri 5 maj 2022.