Ambasada e Francës në Kosovë ka bërë me dije se vizita e ish-përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner, u anulua për shkak të problemeve logjistike, ndërsa do të zhvillojë vizitë në Kosovë në një datë të mëvonshme.
Ambasada përmes një komunikate tha se shpreh keqardhje për këtë anulim dhe e falënderon krerët institucional presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Kouchner sipas ambasadës kishte paraparë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ku do t’i ndahej Çelësi i Qytetit, si dhe do të zbulohej pllaka e një rruge të emërtuar në emrin e tij më 11 qershor.
Kouchner po ashtu ishte pritur të mbajë një fjalim në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës më 12 qershor dhe vizita në Graçanicë ku do të takohej me përfaqësuesit e komunitetit serb, përfshirë ipeshkvin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosie.