Në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, Kosova do të përfaqësohet me nënë sportistë, por pritjet për të rrëmbyer medalje janë nga sporti i xhudos. Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Aliti.
Përtej Lojërave Olimpike, institucionet sportive në vend janë të angazhuar edhe në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë në vitin 2030. Aliti për këtë çështje ka thënë se ende janë brenda afateve të nevojshme për të kryer punët që i kërkon ky organizim gjigant.
Në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare, Aliti e ka lënë të hapur mundësinë që të performojë njëra nga yjet botërore të muzikës, Dua Lipa ose Rita Ora.
Në fund, sekretari i KOK-ut u ka bërë thirrje të gjitha federatave sportive që të kenë angazhim shtesë për të nxjerrë sportistë të rinj që Kosovës t’i japin përfaqësim dinjitoz në garat e ardhshme ndërkombëtare.