Ali Ahmeti kërkon zbatimin e kornizës negociuese me BE-në
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti priti sot në takim ambasadorin e ri të Bullgarisë në Shkup, Zhelazko Radukov me të cilin diskutoi mbi kornizën negociuese të BE-së, situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.
Ahmeti me këtë rast tha se korniza negociuese e miratuar nga Bashkimi Evropian është e qartë dhe ajo duhet të zbatohet për ta vijuar rrugëtimin e vendit drejt Brukselit.
“Komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut është realitet dhe duhet të përfshihet në Kushtetutë, ndërsa nga kjo nuk humbet asgjë askush, përkundrazi, fitojnë të gjithë. Prioritet i BDI- së është pikërisht vazhdimi i rrugëtimit evropian, andaj dhe ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin menjëherë, sepse qytetarët presin të bëhen pjesë të Bashkimit Evropian”, tha Ahmeti.
Kreu i BDI-së përsëriti se angazhohen për mbështetjen dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe e fqinjësisë së mirë.
Duke folur mbi situatën politike në Maqedoninë e Veriut, Ahmeti foli për tendencën e qeverisë aktuale për ta cenuar në tërësi Marrëveshjen e Ohrit, duke imponuar supremaci etnike.
“Kjo është e papranueshme. Shqiptarët “e ndershëm” dhe preferencial të zgjedhur nga VMRO DPMNE, ngrenë dorë nga Evropa, por edhe nga barazia, duke i nënçmuar dhe poshtëruar shqiptarët për kolltukë dhe motivet e tyre korruptuese”, tha Ahmeti.