Ali Ahmeti e Lumir Abdixhiku vizitojnë familjen Rugova
Lajme
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka bërë sot homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, në 79-vjetorin e lindjes, si dhe ka vizituar familjen Rugova.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se gjatë takimit me anëtarët e familjes  Rugova evokuan kujtime nga vitet e veprimit përplot atdhedashuri të presidentit në shërbim të idealit të lirisë dhe themelimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

“Falë Presidentit Rugova u zgjua ajo ndërgjegje e fjetur e njerëzimit, lobimi i tij bashkë me pushkët e UÇK-së ishte kushtrim drejtësie të cilit iu përgjigjën SHBA-të dhe Evropa. Do ta kujtojmë përjetë me mall e krenari duke pasur frymëzim vitet e jetës që ia kushtoi lirisë e përparimit të Kosovës. Lavdi e përjetshme Presidentit Rugova”, ka shkruar Ahmeti.

Përvjetori i lindjes së ish-presidentit Rugova - KosovaPress

Vizitë sot gjatë ditës te familja Rugova ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Për të na pritur sa më ngrohtë, si një zonjë shtëpie e vërtetë, Fana Rugova kishte përgatitur edhe këtë vit ëmbëlsirën e saj Tiramisu. Atë të preferuarën e Presidentit. Atë që e kishin shijuar për herë të parë në Romë. Këtë ëmbëlsirë ajo merr mundin ta bëj çdo 2 dhjetor, në ditën e lindjes së Presidentit Rugova. Këtë ëmbëlsirë e kishte bërë edhe këtë herë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka theksuar se kësaj radhe vizita në familjen Rugova ishte edhe më e veçantë, pasi ajo u shoqërua edhe nga klasa e parë e gjeneratës së parë të Shkollës Politike.

“Sot, me Albinën, Erën e Rozin, vizituam familjen Rugova. U pritëm nga zonja Fana, Uka, Mendimi e Teuta. Rikujtuam jetën e shqiptarit më të madh; atit themeltar të Republikës e prijësit historik të lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, i cili lindi 79 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944. Kjo histori na qëndron sot jo vetëm si rikujtim i madhështisë, por edhe si detyrim i rrugëtimit tonë përpara. Presidenti ka vetëm ditëlindje! Prandaj gjithë rugovistëve, urime kjo datë e ditë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024