Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se Alexander “Sasha” Kasanof ka marrë detyrën e zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, pas largimit të Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj.
Në njoftim thuhet qe nga 19 korriku Kasanof është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të DASH-it.Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili e Ukrainë. Ai ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Detyrat e Sasha në Uashington përfshijnë: drejtor i Zyrës për Politika Globale dhe Programe në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, zëvendësdrejtor i stafit të Sekretariatit ekzekutiv, drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Lindore dhe zëvendësdrejtor i Zyrës për çështje të Kaukazit dhe konflikteve rajonale”, thuhet në njoftim.