Ardhja e pranverës sjell probleme për personat me alergji ndërsa fëmijët janë ndër më të prekurit nga rritja e alergjisë ndaj polenit në këtë periudhë, transmeton Anadolu.
Specialisti i Imunologjisë Pediatrike dhe Sëmundjeve Alergjike në Spitalin Ndërkombëtar të Ankarasë Medicana, prof. dr. Cem Hasan Razi në deklaratën e tij ka dhënë informacione për alergjinë ndaj polenit, incidenca e së cilës rritet me muajt e pranverës.
Sipas tij, alergjia ndaj polenit prek shumë organe. "Simptomat e konjuktivitit të alergjisë si kruajtje, lotim, skuqje dhe ënjtje e qepallave, kollë, gulçim, simptoma të astmës, përfshirë shtrëngimin në gjoks dhe rrallë herë në lëkurë mund të shihen edhe kruajtje, ekzemë dhe urtikarie", tha Razi.
Duke theksuar se fëmijët me alergji ndaj polenit mund të kenë edhe kollitje gjatë natës, kollitje me përpjekje ose gulçim, Razi tha se vërehen edhe simptoma të tilla si lodhje, dobësi dhe humbje oreksi.
Razi tha se nëse shfaqen simptoma të alergjisë tek fëmijët, duhet të konsultohet një alergolog pediatrik. Ai tha se diagnoza mund të bëhet lehtësisht me test alergjen të lëkurës, në raste të veçanta diagnoza mund të bëhet me analizat e alergjisë në gjak.
"Duke i shpjeguar të prekurit metodat e mbrojtjes nga alergjia mund të sigurojë që ta kalojë më qetë stinën e pranverës. Në varësi të llojit dhe ashpërsisë së alergjisë, te individët e diagnostikuar mund të kryhen shumë trajtime. Kur është e nevojshme, është e mundur të lehtësohet apo edhe të eliminohet plotësisht gjendja alergjike me një trajtim de-sensibilizimi të quajtur imunoterapi", tha Razi./AA