Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka kërkuar konstituim të shpejtë të Kuvendit të Kosovës. Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar pa zgjedhjen edhe të nënkryetarit nga komuniteti serb, Orav tha se aktualisht janë duke analizuar aktgjykimin, ani pse Kushtetuesja ende nuk e ka publikuar të plotë të njëjtin.
Gjykata Kushtetuese vendimin e 30 shtatorit e ka marrë pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Orav, i pyetur nga KosovaPress për vendimin e djeshëm të Kushtetueses, tha se të njëjtin janë duke e analizuar, derisa theksoi se shpresa e tij është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ketë një qeveri të re në vend.
“Ne, ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe Bashkësia Ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit, dhe ne po e analizojmë për momentin. Por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe shpresojmë shumë që edhe të ketë një qeveri të plotë sa më shpejt”, theksoi Orav.
“Ju lutem, konstituoni Kuvendin, dhe ju lutem, formoni Qeverinë”, shtoi diplomati i BE-së.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm ka thënë se seanca konstituive nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari serb i Kuvendit.