Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit me inicialet S.F, ish-pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Përmes një njoftimi për media, prokuroria jep detaje për krimet e kryera nga S.F dhe zyrtarë të tjerë deri tani të paidentifikuar nga organet e ndjekjes.
Në njoftim bëhet e ditur se ata kishin rrahur e torturuar viktimën për fatin e të cilit nuk dihet asgjë.
“Në atë mënyrë që pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i pandehuri S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S.F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë. Me këto veprime, i pandehuri në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së”, bënë të diotur prokuroria.