Dy të mitur kanë pësuar lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti trafiku sot në Pejë, ndërsa ngasësi i makinës është ndaluar për 48 orë. Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për KosovaPress se njëri nga të lënduarit është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë, ndërsa i mituri tjetër në Spitalin rajonal Pejë. ”Një person është ndaluar për 48 orët me urdhër të prokurorit të shtetit për shkak të veprës penale rrezikim i trafikut publik, ku janë goditur nga vetura dy të mitur këmbësorë. Njëri prej tyre është dërguar për tretman në QKUK, ndërsa tjetri në Spitalin e Pejës. Dy të miturit kanë marrë lëndime të rënda trupore,” ka thënë ai. Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.