AKI ndihmoi në zbulimin e vendndodhjes së kosovarit të kërkuar për vrasjen në Norvegji
Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti (Fast Kosova), me mbështetje të Njësisë Speciale Operative, sot më 21.02.2024, pas një pune intensive në terren, kanë arritur të lokalizojnë dhe më pas të arrestojnë në Ferizaj, një shtetas kosovar i cili ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.
I arrestuari është Visar Avdyli, teksa i njëjti ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021.
Kurse, burimet e KosovaPress bëjnë të ditur se vendndodhja e tij u zbulua nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI)
Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjasë janë të falsifikuara.
Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli nga Baerumi në Norvegji që më herët ishin burgosur për terrorizëm akuzohen për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20-vjeç, dy vite më parë në Norvegji.
Ata ishin në kërkim ndërkombëtar që nga tetori i vitit 2021.