Koreja e Jugut ka konfirmuar të dielën se Ukraina i ka kapur dy ushtarë të Koresë së Veriut, një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se autoritetet ukrainase të sigurisë janë duke i marrë në pyetje dy luftëtarët e zënë në rajonin Kursk të Rusisë.
“Përmes bashkëpunimit në kohë reale me agjencinë e inteligjencës së Ukrainës… [Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës së Koresë së Jugut] ka konfirmuar se ushtria ukrainase zuri dy ushtarë koreanoveriorë më 9 janar në fushëbetejën e Kurskut në Rusi”, tha Seuli në një komunikatë.
Zelensky postoi në Telegram gjithashtu edhe fotografi të ushtarëve për të cilët thotë se janë kapur. Ai nuk dha dëshmi që ata ishin koreanoveriorë, por deklarata e Koresë së Jugut i jep më shumë besueshmëri pretendimit.
Shërbimi i Inteligjencës i Ukrainës (SBU) publikoi të shtunën një video që tregon dy burra në shtretër spitali, njëri me duar të lidhura me fashë dhe tjetri me nofull të mbështjellë me fashë.SBU-ja tha se njëri prej të burgosurve, i cili tha se ishte lindur në vitin 2005, pretendoi se besonte se “po shkonte për trajnim, jo për të luftuar në luftë kundër Ukrainës”.
Burri tjetër u detyrua t’i shkruante përgjigjet e tij për shkak të dëmtimit në nofull, tha SBU-ja. Ky ushtar tha se ishte lindur në vitin 1999 dhe se është snajper në Ushtrinë e Koresë së Veriut.
Ajo shtoi se njëri prej të burgosurve “qëndroi pa ushqim apo ujë për rreth katër-pesë ditë, para se të kapej” nga forcat ukrainase.
Vjeshtën e kaluar, Koreja e Veriut i dërgoi rreth 11.000 trupa në rajonin e Kurskut për t’i mbështetur forcat ruse atje. Moska e ka rimarrë rreth 40 për qind të territorit, por trupat ukrainase ende kontrollojnë më shumë se 500 kilometra katrorë në Kursk, dhe trupat e Koresë së Veriut raportohet se po përjetojnë humbje të mëdha.
Zelensky tha më 23 dhjetor se më shumë se 3.000 trupa, ose rreth një çerek i forcave speciale të Koresë së Veriut të dërguara në Rusi, janë vrarë ose plagosur, megjithëse ai nuk dha prova për këtë.