Aftësia për t’u marrë vesh në mes veti
Lexohet për: 7 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

1.

Aftësia për t’u marrë vesh në mes veti, padyshim, që është një nga treguesit kryesor të  zhvillimit të një kombi. Kështu, edhe për çështjet më të komplikuara, kombet dhe shtetet e zhvilluara janë në gjendje që brenda një kohe të shkurtër të arrijnë marrëveshje, kurse ato të pazhvilluarat, edhe për çështjet më triviale dhe të thjeshta, nuk arrijnë të mirren vesh për një kohë të gjatë. Dhe, në fakt, kjo nuk tregon vetëm një marrëveshje, si një akt final e qëllim në vetvevete, por shumë më tepër. Tregon mentalitetin pozitiv të bashkëpunimit në mes njerëzve. Tregon fisnikërinë e zemërgjerësinë, dhe sidomos, tregon qasjen ndaj zhvillimit.  Një thënje e vjetër thotë: “Aut Caesar, aut nihil”, (në përkthim të lirë - “Ose Cezar, ose asgjë”). Dhe vërtetë, ne shohim, dëgjojmë dhe ndeshemi thuajse çdo ditë, qoftë këndej apo andej kufirit me këtë formë të të menduarit, por edhe të të vepruarit, dhe e cila thuajse është shëndërruar në mentalitet.

Njerëzit, thjeshtë, këmbëngulin fuqishëm, në mënyrë rigjide vetëm në pikëpamjen e tyre, pa dashur madje as të dëgjojnë për mendimin e tjetrit. Shohin vetëm interesin dhe qëndrimin e vet, duke e përjashtuar plotësisht atë të tjetrit. A nuk pasqyrohet kjo shumë qartë edhe në shprehjet: “ O unë, o ti”!, ose “Ja hunin, ja tirqtë”!, ose “Kam thënë kështu unë, dhe pikë”, ose “Unë e kam plotësisht mirë, e ti absolutisht gabim”, etj etj. Pra, patjetër dikush duhet të humbë, e dikush të fitojë. Dikush duhet të ketë gjithëçka, e dikush asgjë. Duhet të jetë bardh, ose zi, pa asnjë mundësi për nuansa tjera në mes tyre. Nuk ka një mes, nuk ka një kompromis, nuk ka një pozicion ku dy palët fitojnë, apo ku dy palët fitojnë diçka, dhe humbin diçka, duke arritur kështu një ekuilibër dhe balancë të intencave të tyre.

 Një diskurs i tillë, ngritet mbi themelet e paqëndrueshme të tezës, se vetëm dikush mund të jetë pronar absolut i së vërtetës, e oligark mbi të vërtetën, duke treguar një babëzi për gjithëçka vetëm për vete. Dhe nga kjo qasje, në marrdhëniet tona të ndërsjella, duket se lindë një keqkuptim i madh, prej të cilit pastaj rrjedhin edhe arroganca dëshpëruese, por, edhe mosdurimi rrënues.

2.

Kur njeriu sheh këtë shkallë të lartë mosdurimi gjithandej, në mes nesh, e që shkakton deprimim dhe dëshpërim të skajshëm, nuk ka se si të mos pyes: Çka ndodhi vallë me ne? Ku, dhe pse u trand qenja jonë? Ku, dhe si na braktisi zotësia për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin? Ku janë rrënjët e mosdurimit në mes nesh? Pse nuk mund të debatojmë qetësisht për gjërat e ndryshme dhe me interes të përgjithshëm, pse nuk mund as të dëgjojmë njëri-tjetrin, jo vetëm për gjërat e vështira dhe komplekse, por shpeshherë madje as për ato më të thjeshtat. Ku janë burimet dhe shkaktarët e kësaj arrogance të pashembullt në mes nesh? Pse gjithë ajo gatishmëri për t’i nxjerrur sytë njëri-tjetrit, për të asgjësuar fare tjetrin, pse gjithë ky pezm helmues e tërë kjo urrejtje? Kush hedhë shkarpa, dhe kush i vë benzinë zjarrit të mosmarrëveshjeve dhe mosdurimit?

Edhe në debate publike politike flitet njëkohësisht, me kundërshtime dhe pa dëgjuar tjetrin, me mllef e fjalë të rënda, me fyerje e kualifikime të ashpëra.Nga na erdhi kjo shprehi neveritëse primitive që na u qep si rrodhe, kjo mungesë qytetarie e kulture, ky deficit respekti qoftë edhe minimal, duke mos pasur fuqi as për të dëgjuar bile tjetrin. Dhe, jo vetëm duke kundërshtuar tjetrin, por edhe duke stigmatizuar tjetrin. Duket sikur për individë të tillë kjo ështe mburrje dhe ushqim shpirtëror!

Kaherë në kombet dhe shtetet e prosperuara mbretëron parimi: Ngrit kualitetin e fjalëve tua dhe jo tonin e zërit tënd!

3.

Filozofi C.T. Warner në librin e tij “Lidhjet që na bëjnë të lirë”, shpjegon mënyrat se si, dhe pse njerëzit krijojnë raporte të çrregullta e plot tension me njëri tjetrin. Kjo pastaj rezulton ndër të tjera edhe me paraqitjen e diskursit dhe mentalitetin e të qenurit viktimë, për të vazhduar pastaj edhe me pasojat që rrjedhin nga ky mentalitet.

Ai shpjegon se njeriu në raste të caktuara priret që të fajësoj të tjerët për gjendjen dhe fatin e tij, duke u ankuar se ai nuk mundet të bëj asgjë për veten, sado që të përpiqet. Në këtë mënyrë ai në raport me të tjerët manifeston veprime të nxitura nga emocionet negative dhe reflekton arrogancë, zemërim dhe fyerje që patjetër dërgojnë edhe në konflikte. E tërë poenta e veprimeve në këtë rast, nga ana psikologjike konsiston, në mosmarrjen e përgjegjësisë personale, duke shfajësuar veten dhe duke fajësuar tjerët.  Warner tërheq vëmendjen për tri aspekte të këtij gabimi: Akuzimi i të tjerëve, justifikimi i vetëvetes dhe paraqitja e vetëvetes si viktimë. Për të vazhduar më tej: “Edhe pse ne nuk jemi përgjegjës për fatkeqësitë që na kanë ndodhur në të kaluarën e largët, edhe pse nuk mund t’i ndryshojmë ndodhitë nga e kaluara, andaj nuk mund të bartim përgjegjesi për to. Sidoqoftë, ne kemi përgjegjësi për efektin e tyre në ne – për kuptimin që ua caktojmë atyre, dhe për mënyrën se si i mbajmë mend ato. Dhe ne mund, e duhet që të mësojmë nga to”.

Këtë gjendje të njerëzve të tillë, pastaj e shfrytëzojnë pa mëshirë qarqe të ndryshme për të përmbushur qëllimet meskine dhe perfide të tyre.

4.

Duke elaboruar ndikimin e politikës në jetën e përditshme të njeriut, dhe funksionimit të mirëfilltë të shtetit dhe shoqërisë, mendimtarë të njohur si K.Poper, M.Veber e të tjerë e vënë theksin në nevojën dhe domosdoshmërinë që politika të udhëhiqet nga parimet që kanë si ide parësore humanitetin, pra njerëzoren dhe shëbimin për të. Dhe në këtë kuadër duhet t’i jipet rëndësi jetësimit e prioritet  virtytit moral ndaj atij materjal.

Duke shiquar këtë pikëamje mund të kuptohet zhvillimi i demokracive më të avancuara sot në botë. Eshtë parim i përhershëm e gjeneral i tyre që gjatë diskutimeve e debateve në shoqëri, të shterren të gjitha mundësitë për dialog, marrëveshje e koncensus, ose thënë metaforikisht ‘të hapen dyer madje edhe në mure’.

Dhe, atëherë kur edhe në mentalitetin tonë do të zhbëhet mosdurimi e arroganca, dhe kur në vend të mbylljes jo vetëm të dyerëve e dritareve, por edhe të ‘penxhereve’ të komunikimit për t’u fortifikuar në bedena e qëndrime, do të bëhet e kundërta, pra ‘të happen dyer edhe në mure’, atëherë mund të shpresojmë për ditë më të mira.

Sepse, të komunikosh pa paragjykime, të debatosh hapur, të gjesh fuqi për ta dëgjuar tjetrin, edhe kur nuk pajtohesh me të, është shenjë e kulturës, qytetarisë dhe humanizimit.

Një politikë e mençur, përveç se rezultative,  gjithnjë karakterizohet me drejtësi, dhe ajo gjithmonë ka për bazë njeriun, kurse qëllim, të mirën e përgjithshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025