Afganistan: Talebanët po zhdukin zërat e grave nga radio
Në verën e vitit 2021, kur talebanët filluan të marshonin drejt qyteteve të Afganistanit, Alia, një gazetare 22-vjeçare afgane, ishte duke bërë punën më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së saj.
Ajo raportoi për tërheqjen e trupave të huaj, rrethimin e zyrave qeveritare dhe ndalimin e ish-përfaqësuesve të provincës së saj, duke dokumentuar frikën dhe shqetësimet e grave gjatë rritjes së kufizimeve nga talebanët.
Në muajt pas pushtimit të talebanëve, Alia vazhdoi të mbledhte lajme, veçanërisht për çështjet e grave, edhe pse punëdhënësit e saj e hoqën nga transmetimi për sigurinë e saj. Pas kërcënimeve që përjetuan punëdhënësit e saj për angazhimin e gazetareve gra, Alia u shkarkua në vitin 2022.
"U bashkova me stacionin direkt nga universiteti në vitin 2019 dhe punova për dy vjet para se talebanët morën pushtetin. Në muajt më pas, ndihesha më e apasionuar për punën time dhe zgjedhjen e karrierës, megjithatë frika nga talebanët ishte gjithmonë e pranishme", shprehu ajo, shkruan The Guardian.
Gjatë dy viteve të fundit, gratë janë përjashtuar nga media dhe shoqëria, si dhe janë mbyllur disa media, duke përfshirë Radio Begum, një stacion radioje i drejtuar nga gra, i cili u mbyll pas bastisjes nga talebanët. Media afgane është zvogëluar ndjeshëm, me vetëm 600 gazetare aktive femra në mars 2024, nga 2,833 para vitit 2021.
Alia shpreh ndjenjën e mospasjes së shpresës dhe thotë se media është e vetmja mundësi për të ekspozuar krimet e talebanëve ndaj grave dhe grupeve të tjera.