Kurti në Prizren: Erdhi dita që ‘verbon kriminelët dhe armiqtë’
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
Kurti në Prizren: Erdhi dita që ‘verbon kriminelët dhe armiqtë’
2 orë më parë
Linku u kopjua

Kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se “altoparlantët e oligarkëve” po thonë se Vetëvendosja nuk po e mbështet biznesin. Ai i ka quajtur të kufizuar me dije ata që besojnë se bizneset nuk “ja kanë parë hairin rritjes së qëndrueshme”. Kreu i LVV-së, Albin Kurti tha se më 9 shkurt “do të verbohen kriminelët dhe armiqtë.”

Para simpatizantëve në tubimin në Prizren, Kurti tha se gjatë mandatit katërvjeçar është mbështetur, shoqëria, sektori privat dhe ndërmarrjet publike.

Pasditen e së premtes, Kurti përmendi edhe aktivistët Astrit e Arbnor Dehari për të cilët tha se “shpirti i tyre na bashkon”. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se më 9 shkurt votohet për të ardhmen e vendit, mes tjerash përmendi nënat dhe fëmijët, invalidët dhe veteranët.

“Punoni shumë, ditë e natë, natë e ditë, sepse erdhi dita që të shohim shumë dritë. E shumë dritë që ndriçon të ardhmen për popullin dhe miqtë dhe shumë dritë që verbon kriminelët dhe armiqtë. E që na vjen e që na sjell te 500 mijë zemra që do të rrahin, por si një të dielën e 9 shkurtit me pulsin 118, me pulsin e atyre që ecin shpejt e punojnë shumë”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, që nga paslufta Prizreni asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar në nivelin qendror se sa në katër vitet e qeverisjes së tij. Ai premtoi se në spitalin e këtij qyteti do të vazhdojnë investimet, për çka tha se do të jetë model për Kosovën.

Kryeministri aktual përmendi edhe projektin e rrugës Prizren-Tetovë, për çka tha se vlera e përgjithshme është rreth 200 milionë euro.

Kandidati për deputet, Hajrulla Çeku tha se po mbrohet trashëgimia kulturore në Prizren, meqë sipas tij ky qytet “po bëhet gati për UNESCO”. Gjithashtu, ai tha se po bëhen investime në sport, sepse do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare.

Kujtojmë, fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit ka nisur më 11 janar me intensivitet të lartë në mesin e akuzave dhe kundërakuzave ndërmjet partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025