Osmani: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Osmani: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës
5 orë më parë
Linku u kopjua

Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me ç’rast ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.

Në takim u theksua se zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhjet e para të rregullta që mbahen në përputhje me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, ndaj presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend.

Osmani nënvizoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KiE, më 2022. Edhe pse ishte paraparë të ishte pjesë e agjendës për pranim në takimin e Këshillit të Ministrave më 16 maj  2024, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë asociacionin nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025