Çmimet e naftës kanë shënuar rënie pas njoftimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, si dhe pas një raporti që tregon prodhim më të lartë të naftës së papërpunuar nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).
Mëngjesin e sotëm, standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent ra me 0,4 për qind, duke u tregtuar me 81,30 dollarë për fuçi, respektivisht nga 81,61 dollarë në mbylljen e seancës së djeshme, përcjell AA, transmeton KosovaPress.
Kryeministri i Katarit dhe ministri i Punëve të Jashtme, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, gjatë një konference për media në Doha konfirmoi marrëveshjen e armëpushimit, e cila është përcaktuar të hyjë në fuqi të dielën.
Sipas marrëveshjes, faza e parë që do të zgjasë 42 ditë, përfshin lirimin e 33 pengjeve izraelite në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë. Ky zhvillim erdhi në ditën e 467-të të operacionit ushtarak në vazhdim të Izraelit ndaj Gazës, që ka vrarë dhe plagosur të paktën 156 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.Ndërkohë, një raport i fundit i grupit OPEC theksoi rritjen e prodhimit të naftës së papërpunuar, duke ndikuar më tej në rënien e çmimeve.
Sipas raportit mujor të grupit për tregun e naftës, e publikuar dje, prodhimi i OPEC-ut u rrit me 26 mijë fuçi në ditë ose me 0,1 për qind në dhjetor të vitit të kaluar, duke arritur në një mesatare prej 26,74 milionë fuçi në ditë.
Vendimi i OPEC-ut për ta mbajtur të pandryshuar parashikimin e rritjes së kërkesës globale për naftë për vitin 2025 shtoi edhe më tej presionin ndaj çmimeve. Grupi shprehu pritje që kërkesa për naftë të rritet me 1,45 milion fuçi në ditë gjatë këtij viti, duke arritur në 105,2 milionë fuçi në ditë, më pak se sa ishte parashikuar dhe duke zbehur perspektivën për rritje të çmimeve.