Ambasadori në largim i SHBA në Serbi Christopher Hill deklaroi sonte, duke shpjeguar arsyet e vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara (SHBA) ndaj industrisë së naftës të Serbisë (NIS), "se Rusia filloi të përdorë rafinerin në Serbi për të financuar luftën" dhe theksoi se ai vend “duhet të largohet nga NIS".
“Për sa i përket NIS, ka vite që ka shqetësime, sepse Rusia bleu të vetmen rafineri të madhe të naftës në Serbi. Ne e kemi ndjekur këtë për një kohë të gjatë, shumë kohë përpara agresionit rus kundër Ukrainës, dhe jemi të shqetësuar se Rusia po përdor energjinë dhe burimet energjetike dhe po nxjerr përfitime politike prej saj për vete. Kjo vazhdoi edhe pas fillimit të luftës në Ukrainë. Prandaj, Rusia filloi të përdorë rafinerinë në Serbi për të financuar luftën. Përfundimi ishte se Rusia duhet të largohet nga NIS dhe kjo është ajo për të cilën po punojmë tani”, tha Hill në emisionin “Intervist” në Insider TV shkruan Danas.rs.
Duke komentuar afatin e shkurtër prej vetëm 45 ditësh për daljen e mundshme të Rusisë nga pronësia e NIS, Hill deklaroi se Departamenti i Thesarit i SHBA po shqyrton gjithashtu nëse ka një plan.
Ai tha se beson se projekti "Rio Tinto" është "një mundësi për Serbinë për t'u bashkuar dhe për t'u lidhur me ekonominë moderne".
"Litiumi është një konstante dhe është një pjesë e rëndësishme e teknologjive të komunikimit." “Nëse një vend ka mundësi ta prodhojë atë dhe ta përdorë për qëllime ekonomike, mendoj se ai vend duhet ta konsiderojë seriozisht, por nuk jam unë ai që duhet t'u them serbëve se çfarë të bëjnë”, tha Hill.
I pyetur nëse protestat kishin të bënin me shkeljen e të drejtave dhe vlerave elementare të njeriut – përmes ftesave të paligjshme nga BIA për studentët për të ashtuquajtura biseda miqësore, publikimit të të dhënave private të studentëve në media pro-qeveritare, rrahjeve të studentëve dhe fushatave mediatike kundër tyre, Hill përsëriti se ai "nuk ndërhyn në punët e brendshme të Serbisë".