Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë të Shqipërisë gjatë vitit 2024 pati një fluks të shtuar vizitorësh, nga brenda dhe jashtë vendit.
Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se, për vitin 2024, vizitueshmëria u rrit me rreth 50% më shumë se një vit më parë. Shifra arriti në mbi 37 mijë vizitorë: 21 mijë prej tyre vizituan MKAM, 15 mijë ishin vizitorë të Muzeut të Arsimit dhe 1425 të Muzeut Arkeologjik të Korçës i cili përkohësisht është i mbyllur për restaurim.
Ndryshe nga muzetë e tjerë ku shumicën e vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, interesant është fakti se Muzeu i Arsimit u vizitua kryesisht prej vizitorëve vendas dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha se për vitin 2025 janë në program një sërë aktivitetesh mes të cilave botimi i nr. 3 të Revistës “Mbi Artin Mesjetar”, botim i përvitshëm i muzeut, ku studiues të njohur e specialistë referojnë me artikuj të ndryshëm.Prifti tha se, janë në program punëtori, zhvillime bisedash, ekspozita, si dhe koncerte me nxënës të grupmoshave të ndryshme, raporton ATSH.
Disa nga këto aktivitetet do të zhvillohen edhe online si ekspozita “Origjina dhe artizanati” dhe cikli “Mes trashëgimisë kulturore dhe artit”. Këto aktivitete do të zhvillohen si online ashtu dhe në muze, ku ekspozohen objekte muzeale të etnografisë dhe zhvillohen takime me artizanë të ndryshëm të cilët do të flasin mbi punët e tyre.