26-vjet nga Masakra e Reçakut, përvjetori i parë kur dihet se janë arrestuar dy njerëz
Lajme
Lexohet për: 4 min.
26 vite nga Masakra e Reçakut
3 orë më parë
Linku u kopjua

Kosova përkujton sot 26 vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.

Derisa viti 2024 është përvjetori i parë kur dihet se janë arrestuar dy njerëz Bedri Shabani e Muharrem Qerimi  ku dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.

KosovaPress kishte mësuar se arrestimi i tyre ishte bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Një ditë pas arrestimit të tyre Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në pronat e dy të dyshuarve ku në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska dhe gasmaska ushtarake.

Me rastin e shënimit të ditës së përkujtimit dhe nderimit të viktimave të masakrës së Reçakut, më 15 janar 2025 shpallet ditë pushimi në Komunën e Shtimes.

Në orën 08:30 do të mbahen homazhe nga niveli komunal në varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Molloplc dhe Reçak.

Ndërsa, në orën 10:00 do të ketë homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak.

Ndërkaq, Akademia Përkujtimore në orën 11:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Po ashtu në këtë ditë për shënimin e 26 vjetorit të masakrës së Reçakut, do të mbahet finalja e turnirit  memorial “Ditët e Reçakut”, si dhe në orën 17:00, do të mbahet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker”, në Shtëpinë e Kulturës.

https://kosovapress.com/dite-pushimi-ne-shtime-kjo-eshte-agjenda-per-nderimin-e-viktimave-ne-recak

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025