Në qytetin Los Anxhelos vazhdojnë përpjekjet e ndihmave masive për dhjetëra mijëra banorë që kanë humbur shtëpitë e tyre ose janë evakuuar nga zjarret që kanë shkatërruar këtë zonë që nga java e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, njofton nga selia e konventave në Pasadena, e cila është shndërruar në një strehë për të evakuuarit.
Banorja e qytezës Altadena, Danielle Williams thotë se humbi gjithçka nga zjarri, përveç rrobave që kishte në trup dhe macet e saj. Apartamenti i motrës së saj është shkrumbuar. Por nuk dihet nëse shtëpia e të atit të saj ende qëndron, shkruan VOA, transmeton KosovaPress.
Të gjithë njerëzit në radhë kanë humbur shtëpitë e tyre. Ata po presin për një ndihmë të vogël me para në dorë nga fondacioni jofitimprurës “California Fire”.
19-vjeçari Hank Donovan thotë se i gjithë blloku i shtëpive ku ai jetonte është djegur.Zjarrfikësit ndihmuan Josh Erdman-in dhe Armen Sark-in të gjenin unazat e martesës pasi shtëpia e tyre u dogj.
“Ata çanë murin e shtëpisë dhe krijuan një hapësirë për të ndihmuar në gjetjen e unazave. Rrëmuam nëpër hi dhe rrënoja dhe pas rreth 40 minutash gjetëm dy unazat tona origjinale”.
“Ata nuk pranuan të shkonin në qendrat e evakuimit pa siguruar një strehë për kafshët e tyre. Ndaj ne hapëm dyert për ta, dhe u thamë se do të kujdesemi për to. Ata nuk duhet të shqetësohen për kafshët në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”.
“Më bën të ndihem mirë kur ndihmoj, kur shikon përreth gjithë këta njerëz të mirë dhe bujarë. Duhet të dhurojmë, të mbështesim dhe frymëzojmë njëri-tjetrin sa të mundemi”.
Mbështetja ka qenë aq e madhe për strehimoret dhe stacionet e zjarrfikësve sa autoritetet po u kërkojnë njerëzve të mos sjellin më ushqime apo sende që prishen, por të bëjnë donacione monetare.