Kurti e krahason LDK-në me “mizën”
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka krahasuar me “mizë” Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai gjatë një tubimi elektoral në Pejë, tha se në partinë e Lumir Abdixhikut po lavdërohen se njerëzit po e presin me duartrokitje, mirëpo sipas tij, “duartrokitjet tregojnë shumë mirë se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”.
Madje, Kurti para të pranishmëve e performoi vetë tri herë me duar duke e mbytur një mizë imagjinare.
“Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LDK-yhit që thotë se po i pëlqen populli, a populli ka simpati për ta. Kjo mua m’i përngjanë asaj mizës që thoshte se kudo që po shkojë po më presin me duartrokitje. Pra kur ata thonë që populli po i pëlqen ata është si ajo miza që lëvdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje. A ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”, tha ai.
Kurti gjatë fushatës zgjedhore që ka nisur më 11 janar ka qenë i ashpër me partitë opozitare, ku disa herë i ka quajtur edhe “zuzar”./KosovaPress/