Ndonëse i privuar nga aftësia e shikimit, kjo gjë nuk po ndalon Betim Bregovinën të zhvillojë aktivitetin e tij të preferuar që është fotografia. Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt ekspozita e tij e pestë personale e titulluar “Konaku”.
Ai ka fokusuar vëmendjen në elementët më të rëndësishëm dhe të veçantë të trashëgimisë kulturore, si odat dhe detaje të tjera që shpesh mbesin të fshehura në mes të përditshmërisë.
"Kjo e bën shumë të vështirë, por motivi, dashuria që e kam për këtë. Deri në fëmijëri kam pasur pak përqindje katër rreth pesë për qind deri në dhjetë për qind shikim, tani e kam më pak se një, jam afër verbërisë së plotë, tash arrij vetëm me i dalluar dritën dhe hijet. Dashuria për këtë, kur më shpjegohet që është një objekt, unë shkoj e preku me dorë dhe largohem duke marrë distancën për të realizua fotografi. Ndoshta shkrepi rreth 500 herë e nuk ia qëlloj. Përpjekjet janë shumë të mëdha por kjo ekspozitë po tregon që nuk janë të pamundura", tha ai.
Përmes këtij udhëtimi, ai ka pasur mundësinë të krijojë një lidhje të thellë me ambientet dhe elementet e odave, duke dhënë mundësinë te dashamirësit e artit ta shohim atë në një dritë krejtësisht të re.Pos fotografisë, Bregovina është edhe botues i gjithsej 21 librave si autorë dhe bashkautor.
"Nëse marrim për bazë të gjitha pjesëmarrjet në antologji dhe në monografi të ish shkollës ku e kam përfunduar, në total unë jam autor i 21 veprave, autorë dhe bashkautor. Shumica prej tyre janë në formatin braj, rreth 17 afër 20 prej tyre janë të tilla. Këto projekte të mija zakonisht janë edhe në formatin akustik, edhe me shkronja të zmadhuara. Jam duke tentuar të ofroj modelin e gjithëpërfshirjes", tha ai.