Lidhja Demokratike e Kosovës sot zyrtarisht ka hapur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke kritikuar qeverinë aktuale për vjedhje e keqmenaxhim, ndërsa ka premtuar investime miliarda euroshe për katër vitet e ardhshme.
Me rastin e hapjes së fushatës, LDK-ja ka prezantuar edhe ekipin prej 110 kandidatëve për deputetë.
Para mijëra simpatizantëve, Abdixhiku deklaroi se “në republikën që ëndërrojmë kryeministri nuk vendoset mbi prokurorinë dhe nuk e mbron hajninë”.
“Le t’u themi zëshëm nga kjo sallë nëpër çdo cep të Kosovës, le tu themi cep më cep paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent. Sepse 9 shkurti po vjen, ndryshimi po vjen”, tha Abdixhiku.Në mesin e brohoritjeve ku u bë zyrtarisht hapja e fushatës zgjedhore, Abdixhiku u zotua se në javën e parë pas marrjes së mandatit të kryeministrit të Kosovës do të rriten pagat me koeficient 150 për të gjithë punëtorët e shtetit.
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku në mesin e premtimeve, theksoi se do të ndërtohet centrali me gaz në Ferizaj për të reduktuar problemet me energjinë elektrike.
Abdixhiku u premtoi qytetarëve se do të ndërtojë çerdhe të reja, stadiume e teatër të operas e baletit.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 124 në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Kujtojmë, sot edhe zyrtarisht ka nisur fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, ku për legjislativin e ri do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.