PDK hap fushatën e bindur për fitoren e madhe të 9 shkurtit
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 4 min.
3 ditë më parë
Linku u kopjua
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hapur sot zyrtarisht fushatën në rrugëtimin e saj të përbashkët me qytetarët për fitore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ajo me këtë rast ka prezantuar edhe ekipin fitues të 110 kandidatëve për deputetë.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka shprehur bindjen se partia që ai drejton do të del subjekt i parë politik në Kosovë, pasi ofron përvojën më të mirë dhe ofron programin më të mirë qeverisës.
Ai tha se PDK-ja ka program të duhur për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për ta bërë Kosovën më të fortë dhe më të mirë me në krye Bedri Hamzën si kryeministër, teksa listën prej 110 kandidatëve për deputetë e ka quajtur më të mirën për qytetarët e vendit.
Kreu i PDK-së ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë duke thënë se mezi po presin kthimin e tyre në Kosovë.
Krasniqi ka akuzuar qeverisjen aktuale për dështim në udhëheqjen e vendit, duke sjellë zhgënjim te qytetarët.
“Qytetarët tanë punojnë shumë dhe meritojnë shpërblim denjësisht. Asnjë familje nuk duhet të luftojë e vetme për të mbijetuar. Do ta përmirësojmë sistemin shëndetësor, asnjë qytetar nuk duhet të zgjedhë mes ilaçeve dhe ushqimit, do të ulim çmimin e energjisë elektrike, do të krijojmë fondin e papunësisë për ata që humbin vendin e punës, do ta ulim tatimin me pronë dhe do të subvencionojmë të gjitha familjet që dërgojnë fëmijët në çerdhet private. Çdo premtim në programin e Bedri Hamzës sot është obligim i secilit prej nesh nesër”, tha Krasniqi.
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza ka thënë se me ndihmën e qytetarëve vendi do të ketë një të ardhme me prosperitet, teksa nuk ka lënë pa përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se një prej prioriteteve kryesore të tij është zhvillimi ekonomik dhe ngritja e pagave.
Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se në ditët e para të qeverisjes do të marrë hapa që ndikojnë në çmimin e energjisë elektrike, investimet për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike. Ai shtoi se për t’ua lehtësuar barrën financiare, do të ndajnë subvencione prej 100 eurosh në muaj për çdo familje që nuk mund t’i regjistrojë fëmijët në çerdhet publike.
Ai ka theksuar se si mbështetje për familjet dhe përkujdesje për të moshuarit, do të ndërtojnë edhe Qendra për Kujdesin e të Moshuarve në secilin rajon të Kosovës, si dhe do ta nisin programin e mbështetjes financiare që ofron subvencione dhe grante deri në 30 % të investimeve për bizneset që punësojnë të rinj.
Hamza ka premtuar themelimin e bursës së Kosovës, gjykatës së punës dhe fondin për papunësinë. Ai ka thënë se shumë e rëndësishme për ta theksuar është edhe themelimi i Fondit Shtetëror të Bursave prej 25 milionë eurosh në vit për studentët.
Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se nën qeverisjen e tij Kosova do t’i riparojë dhe forcojë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA, si dhe do të bashkëpunojnë ngushtë për konsolidimin e Kosovës në rrugëtimin drejt NATO-s dhe BE-së.