Zyrtarët ukrainas njoftuan së të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror rus në qytetin jugor Zaporizhja.
Sulmi i së mërkurës u krye në një qark industrial në qytet, tha Ivan Federov, kryetar i administratës rajonale.
“Nuk ka asgjë më mizore se sulmet ajrore në qytet, duke ditur që qytetarët e thjeshtë do të pesojnë”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Është e paqartë se çfarë arme është përdorur, megjithatë përmasat e dëmeve dhe numri i viktimave lënë të kuptohet se është përdorur një armë e fuqishme.Nga zyrtarët rusë nuk pati komente të menjëhershme lidhur me sulmin.
Më herët, Ukraina pretendoi se e ka goditur një depo nafte brenda territorit rus, e cila shërbente për një bazë ajrore strategjike në rajonin jugor të Saratovit.
Që nga fillimi i vitit 2024, rafineritë ruse janë goditur rregullisht nga dronët ukrainas. Në disa prej tyre, njësitë kryesore të përpunimit të naftës janë dëmtuar dhe kanë kërkuar riparime. Rusia ka deklaruar se ka rikthyer pjesërisht kapacitetin në disa rafineri kyçe të naftës.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përsëriti më 7 janar se është i etur të shohë fillimin e negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pasi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, por nuk dha hollësi për kohën e mundshme të tyre.