Dhjetëra mijëra veta u mblodhën sot në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij.
Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad që shkaktoi 15 të vdekur më 1 nëntor.
Shumë në Serbi fajësojnë për fatkeqësinë korrupsionin e përhapur dhe punimet e dobëta në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e projekteve të dyshimta që përfshijnë kompanitë shtetërore kineze.
Protestuesit kërkojnë që Vuçiq dhe përgjegjësit për shembjen e çatisë, të përballen me drejtësinë. Deri më tani autoritetet kanë arrestuar 13 persona për ngjarjen në Novi Sad, përfshirë një ministër që u la më pas i lirë, duke shtuar mosbesimin e publikut rreth procesit të hetimeve.Vuçiq fillimisht akuzoi studentët për nisjen e protestave, duke thënë se po paguhen nga Perëndimi, ndërsa më vonë pretendoi se i përmbushur kërkesat e tyre, përfshirë publikimin e dokumentacionit mbi rinovimin e stacionit të trenit në Novi Sad.
Presidenti serb përuroi sot një pjesë të një autostrade të sapondërtuar në Serbinë qendrore, ku tha se nuk do t'u nënshtrohet kërkesave të opozitës për qeveri kalimtare dhe akuzoi kundërshtarët se po shfrytëzojnë studentët për të marrë pushtetin pa zgjedhje.
Mësimet në universitetet në Serbi janë pezulluar prej javësh me studentët që po qëndrojnë brenda ndërtesave të fakulteteve. Dhuna e herëpashershme ka përshkuar protestat ndërsa grupe pro-qeveritare u përpoqën të pengojnë protestat.