Kapen rreth një kilogram ari i padeklaruar në Aeroportin e Prishtinës
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Autoritete e Doganës së Kosovës kanë ndaluar të martën një sasi të padeklaruar prej afër një kilogram ari në Aeroportin e Prishtinës.
Dogana njofton se pas një vlerësimi të hollësishëm, u konstatua se vlera reale e arit të ndaluar është rreth 59 mijë euro.
“Gjatë kontrollit të udhëtarëve, imazhet e skenerëve treguan indikacione për mallra të padeklaruara brenda një çante. Pas hapjes së çantës, u zbuluan mallrat e fshehura së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëronte mallrat. Pas një vlerësimi të hollësishëm nga Dogana e Kosovës, u konstatua se vlera reale e arit të ndaluar është 59,294.12 euro”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës rasti është duke u trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve të Doganës së Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit, për të analizuar të gjitha detajet dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj individëve përgjegjës.