Nxënësit e Gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti”, në Gjilan nga komuniteti turk të cilët ishin pjesë e projektit “Edukimi Medial për nxënësit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë”, kanë thënë se keqinformimi dhe dezinformimi po u bën dëm qytetarëve të vendit dhe se duhet të ndalohen menjëherë.
Sipas tyre, çdo media ka anën e mirë dhe të keqe, ku mund të mësojnë diçka. Megjithatë sipas tyre ka raste kur hasin në lajme të rreme e të pavlefshme.
“Mediat kanë anën e mirë dhe të keqe që mundemi me mësuar diçka prej tyre por edhe mundemi me e humb kohën tonë për gjëra që janë të pavlefshme... Nuk janë aspak të mira... Lajmet e pavërteta mendoj se janë diçka që absolutisht duhet me i ndalë se janë diçka që mundet dikush me bë dhe është e pa pritshme për popullin, dhe mendoj se duhet me i ndalë se janë të këqija për njerëzit... Në 2021 kam parë që është thënë se janë duke u bë vizat por nuk ka pasur asgjë të vërtetë”, ka theksuar Bislimi.
Nxënësi tjetër, Diell Shehu ka shtuar se njerëzit nuk duhet të mashtrohen.“Është shumë i rëndësishëm... e kemi mësuar si të dallojmë të vërtetën dhe të pavërtetën... Mendoj që nuk duhet me i mashtruar njerëzit.... Për Covid kam parë shumë lajme gabim kur flitej se e kanë gjetur vaksinën ato kanë dal krejt gabim”, ka shtuar Shehu.
Ndërsa, mësimdhënësja e teknologjisë në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, Edita Muriqi Sulqezi, nga komuniteti turk, ka thënë se është një temë që duhet t’iu interesoj nxënësve, pas sipas saj të gjithë përdorin telefona.
Gjithashtu, menaxheri i projektit, Fadil Miftari është shprehur se programi po arrin të realizoj objektivat e veta dhe t’i prek çështjet kryesore të cilat iu hynë në punë dhe u ndihmojnë nxënësve që t’i identifikojnë në mënyrë sa më të mirë lajmet e rreme.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.