Gjetja e një vendi pune dhe trajtimi i barabartë në shoqëri, përbën sfidën më të madhe më të cilën të rinjtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian konsiderojnë se po përballen në shoqëri.
Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku mbi 15 nxënës bashkë me mësimdhënësit e tyre të shkollës së mesme profesionale “Mithat Frashëri” në Istog, janë trajnuar mbi edukimin mediatik.
“Si komunitet varet prej personit, si është personi, në çfarë gjendje është, qysh di të flasë ose të jetë në shoqëri…Kam dëgjuar që e kanë bullizuar, vetëm pse ka qenë me ngjyrë tjetër, e kanë dalluar shumë… Mjafton të mos na ndalojnë… Ta tregoj një rast konkret për veten. Unë s’kam mund të hyj në punë, jo pse kanë qenë shefat racistë, por, për shkak të myshterinjve, të cilët do të thoshin se ky është kamerieri i komunitetit. Për këtë arsye s’kam mund të hyj në një lokal…Ka qenë e vështirë, por tani jam person pak më i hapur dhe shikoj edhe gjëra të tjera…Në trajnim sot kemi kaluar shumë mirë dhe kemi marrë informata të mira për media. Kemi punuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin”, tha Shaqiri.
Ndër të tjera, Shaqiri konsideron se nga trajnimi i sotëm ka marrë informacione të nevojshme sa i përket medias.Hajrizaj tregon se vitin e ardhëm pret të aplikoje në shkollë për drejtimin automekanik, për çka shpreson të gjejë një vend pune. 16-vjeçari egjiptian, ani pse nuk vijon mësimet, thotë se i ndihmon babait të tij për të punuar.
“Nëse merr (babai) diku punë private, punoj me të. Të gjitha punët, pastrim të oborreve e kështu me radhë. Po e pres vitin tjetër për t’u regjistruar në një drejtim tjetër, dëshiroj të jem automekanik…A jeni ndjerë të bullizuar ndonjëherë? Ka ndodhur raste, po edhe jo. Për shembull, bullizime që kanë bërë, nuk e marr afër zemrës…Trajnimi ka qenë shumë mirë. Kemi mësuar gjëra që nuk i kemi ditur. Për shembull, e di që ka pasur lajme të rrejshme, por më shumë iu kam besuar. Sot e kam kuptuar që ka shumë të pavërteta, që nuk ka realitet dhe mësuam që mos të gabojmë…Çfarë kërkesash keni ndaj të tjerëve lidhur me të drejtat e komunitetit tuaj? Të na i japin të drejtat në ato drejtime që duam të realizojmë ëndrrën për punë ku nuk mund të hyjmë dhe të na japin shansin të gjithëve. I ka ndodhur axhës tim që nuk e kanë pranuar e ka kryer shkollën, nuk e kanë pranuar as në polici e as në FSK”, potencon Hajrizaj.
Ajetaj shpreson që në të ardhmen t’i jepet mundësia të punojë si metalpunues apo moler, dhe mos të ketë diskriminim vetëm pse i takon pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.
Ndër të tjera, Ajetaj thekson faktin se duhet pasur sa më shpesh trajnime me tematika të tilla.
Trajnime të tilla si ky i sotmi janë të nevojshme për t’u ndjekur nga të rinjtë e komuniteteve jo-shumicë e thotë edhe nxënësja në klasën e 12-të, Blerta Qekollaj. Ajo thekson se pjesa ku është diskutuar për lajmet e rreme i ka bërë më shumë përshtypje.
Po ashtu, edhe Abedin Bujupaj, profesor i elektroteknikës dhe njëherësh zyrtar i qendrës për karrierë në SHMPL “Mithat Frashëri” në Istog, thotë se edukimi mediatik është më se i nevojshëm, derisa shton se nxënësit kanë shumë nevojë për kësi lloj trajnimesh.
Përveç kësaj, Bujupaj thotë se nevojitet përkrahje dhe gjithëpërfshirje të komuniteteve jo shumicë, si në shkolla, ashtu edhe në punësim.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. /KosovaPress/