Shumë fëmijë të komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian po ndërprenë mësimin si shkak i bullizmit. Etiketimi i tyre në media për shkak të kushteve të rënda financiare dhe puna që detyrohen të bëjnë për të mbijetuar, jo rrallë herë ka ndikuar te fëmijët. Të rinjtë e tri komuniteteve po ballafaqohen me bullizëm dhe stigmatizim në shkolla, për çka heqin dorë edhe nga arsimimi.
Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku rreth 20 nxënës dhe mësimdhënës të shkollave në Fushë Kosovë, janë trajnuar mbi edukimin mediatik.
16 vjeçari, Olti Currolli i cili vijon mësimin në shkollën "Minatori", tregon se shumë nga bashkëmoshatarët e tij, kanë lënë në gjysmë shkollimin.
"Ka pasur shumë raste që vijnë tek ne (mediat) dhe xhirojnë, por nuk i xhirojnë rastet e mira, i xhirojnë fëmijët që dalin të mbledhin kanaqe dhe kjo sipas kësaj është që gjysma e shokëve e kanë lënë shkollën. Se i vjen keq t'i reklamojë dikush që mbledh kanaqe dhe në shkollë kur të vjen në shkollë i tregojnë për atë rast që e kanë pa) edhe e lë shkollën për atë", tregon Currolli."Paraqitet një pamje vizuele jo e mirë, merret fotografia plasohet diku, atëherë është i zhgënjyer....e kanë bërë fotografi se kemi mjete digjitalizimi, kanë bërë fotografi dy-tre fëmijë duke i marrë kanaqet, është paraqitur gjysmë fytyra e fëmijëve. E dimë gjendjen sociale, por nuk bën në mënyrë vizuele që të paraqitet, është një humbje besimi dhe dy hapa prapa e komunitetit që kanë dalur. Është e dëmshme shumë e përgjithësi por edhe për komunitetet tjera. Nuk është reale ajo, se nesër ai fëmijë mund të bëhet doktor", shprehet ajo.
Sipas saj, fëmijët po atakohen me një numër të madh të informacioneve, të cilat në raste po cenojnë dinjitetin e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian.
Menaxheri i projekti, Fadil Miftari thotë se është me rëndësi që të rinjtë të arrijnë të dallojnë lajmet e vërteta nga ato të cilat kanë qëllim keqinformimin.
Nxënësit dhe mësimdhënësit që kanë marrë pjesë në këtë trajnim, kanë improvizuar edhe edicion lajmesh, me informatat kryesore të ditës së shtunë.
Me mbështetjen financiare nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Agjencia e Lajmeve "KosovaPress", së bashku me organizatën joqeveritare "Young Community Leaders Center/ YCLC", po organizon këto trajnime në kuadër të projektit shtatëmujor, ku synohet ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian.
Ndërkaq, tashmë ka nisur faza e dytë ku të përfshirë janë profesorët dhe nxënësit e nivelit të mesëm shkollor nga klasa 10 deri në 12.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.