Pas përgjigjes inkurajuese të Qeverisë gjermane për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, hapi tjetër do të ishte që Kosova të dorëzojë aplikacionin e saj, më së miri tani, në mënyrë që të diskutohet në seancën e ardhshme të Komitetit të Ministrave në Torino më 20 maj, tha për KosovaPress, Knut Abraham, deputet i Bundestagut gjerman.
Të mërkurën (dje) Abraham, deputet nga radhët e CDU/CSU, përmes llogarisë së tij në Twitter, i dha një lajm ngazëllues Kosovës pasi publikoi përgjigjen pozitive të Qeverisë gjermane në pyetjen e tij: - “nëse do ta mbështeste një aplikim të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Abraham i tha KosovaPress-it se Kosova duhet të aplikojë për ta shfrytëzuar momentin që aktualisht Presidencën e Këshillit të Evropës e udhëheq Italia, një aleat i fortë i Kosovës.
“Italinë, si udhëheqëse e Presidencës në Këshillin e Evropës, Kosova e ka një aleat të fortë dhe duhet të shfrytëzojë këtë mundësi për të hedhur hapin e parë. Pasi të dorëzohet një aplikim, së bashku me aleatët tanë në Këshillin e Evropës nga të gjitha fraksionet politike dhe shtetet anëtare, ne do të avokojmë në favor të anëtarësimit të Kosovës, duke u bërë anëtari i 47-të i këtij institucioni të rëndësishëm”, tha ai.
Ai tha se në Gjermani, politikanë nga grupe të ndryshme politike mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Si anëtar i CDU/CSU, mund t'ju them se partia ime qëndron plotësisht prapa Kosovës për këtë çështje. Kryesuesi i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës Frank Schwabe, kolegu im nga socialdemokratët, është gjithashtu publikisht duke mbrojtur një hap të tillë. Nga delegacioni gjerman në PACE kanë shprehur mbështetje Konstantin Kuhle nga Liberalët, Max Lucks nga të Gjelbrit, por edhe ministri i Shtetit Tobias Lindner. Besoj se Gjermania, si një nga anëtarët më të mëdhenj në Këshillin e Evropës, së bashku me aleatët evropianë si Italia, mund të luajë një rol udhëheqës për të ndihmuar Kosovën në këtë proces”, tha Abraham.