Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kosova sot është peng i popullizmit, përkatësisht peng i politikanëve që për një kohë të gjatë kanë qenë në rol dhe atë në rol të madh mashtrimi, të cilët kanë ndërtuar kauza fiktive dje, ndaj nuk mund të japin zgjidhje historike sot.
“Popullizmi nuk sjellë çmime të përballueshme, nuk sjellë vende të punës, nuk sjell cilësi në shërbime, nuk sjellë as arsim, as shëndetësi e as mirëqenie të qëndrueshme”, tha kryetari Abdixhiku.“LDK dhe mërgata shqiptare janë një familje, janë një shtëpi. Ne as nuk jemi mysafir në shtëpinë tonë gjeografike, e ju as nuk jeni mysafir në shtëpinë tuaj politike. Kurdo që shihemi e takohemi sërish, pavarësisht sfidave nëpër të cilat kemi kaluar të dy, ne mbesim një shtëpi”, nënvizoi kryetari Abdixhiku.
Ndër të tjera, kryetari Abdixhiku, rikthimin e lidhjes me mërgatën e konsideroi si të domosdoshme e të përhershme, ngase, sipas tij, për LDK-në mërgata është pasuri kombëtare, për të cilën tha se e tillë ka qenë dhe do të jetë përherë.
“Lirinë, pavarësinë, demokracinë e vendit tonë duhet ta ankorojmë në Evropë. Të rinjve e të rejave tona, familjeve në Kosovë, duhet t’u japim një shtet euro-atlantik. Siç e kemi menduar në ditën e parë 32 vite më parë, siç po e kërkojmë sot, siç do ta bëjmë nesër ne”, theksoi kryetari Abdixhiku, dhe shtoi se ashtu siç LDK dhe mërgata i kanë bërë bashkë lëvizjet e mëdha gjeopolitike në Kosovë, bashkërisht edhe do të ankorojnë Republikën e Kosovës, projektin e Ibrahim Rugovës, në BE e në NATO.
Ai më tej tha se e kemi obligim të ri për veten dhe qytetarët tanë në hall që të japim një program të fuqishëm e përparimtar, dhe një ekip që implementon pa frikë, pa paranojë, pa demagogji, projektin e zhvillimit të vendit tonë.
Në fund të fjalës së tij, kryetari Abdixhku, nënvizoi se duke qenë bashkë në lidhjen e së ardhmes; patriotë, rugovistë, të djathtit, e secili i ri e i vjetër pa dallim, do t’i japim atdheut tonë shpresën e kërkuar kaherë, duke udhëtuar së bashku drejt stacioneve të së ardhmes.