Abdixhiku shpalos Rrugën e Re: 5 miliardë euro për 4 vjet
Lexohet për: 2 min.
LDK1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i sapozgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, ka shpalosur programin "Rruga e Re" para simpatizantëve të partisë.

Ai tha se Kosova shtet i pavarur dhe sovran, i anëtarësuar në NATO dhe BE, në miqësi të përhershme me SHBA-në është projekti i sotëm dhe do të jetë projekti i nesërm i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abdixhiku tha se programi i tij ofron zotime dhe ambicie serioze për të mirën e jetës së qytetarëve dhe për një vend krenar.

Ai premtoi se ambicia e madhe e partisë do të fillojë me plot pesë miliardë euro për katër vjet.

“Kjo ambicie e madhe e jona nis me pesë miliardë euro për 4 vjet... Për shëndet, për arsim, për zhvillim e mbrojtje, pra për rrugë, centrale, spitale e për shkolla. Pesë miliardë euro projekte që përcaktojnë Kosovën jo si një vend i zymtë, por si një vend shprese me hov ekonomik. Ky hov ekonomik mban emrin e rritjes prej 4 deri në 5 për qind çdo vit, mban emrin e një buxheti 4.5 miliardë euro si përfundim”, tha Abdixhiku.

Ai tha se e ardhmja e LDK-së mban emrin e rritjes së pagave që në ditën e parë, duke rritur koeficientin në 125.

Ndër tjera, Abdixhiku u zotua edhe për investime në ndërtimin e centralit me gaz me 500 milionë euro, 120 milionë euro investim në linjën e gazit Shkup-Prishtinë-Mitrovicë, një plan kombëtar për vetura elektrike, trajnimi i 40 mijë të rinjve në teknologji, kodimi si lëndë obligative në çdo shkollë, përfundimi i rrugëve dhe magjistraleve, si dhe unazën e kryeqytetit, e cila do të kushtojë 350 milionë euro.

Ai, po ashtu, ka premtuar edhe ndërtimin e një qendre të skijimit në Brezovicë dhe një tjetër në Dukagjin, duke thënë se nga 130 milionë euro investime gjithsej në turizëm, sikurse Borea, ashtu edhe Brezovica, do të bëhen shtëpi mikpritëse e mijëra turistëve çdo vjet, duke e bërë Kosovën një vend me të cilën mburren gjithherë. /KosovaPress

Abdixhiku rizgjidhet kryetar i LDK-së:Do ta ushtroj këtë detyrë me sjellje rugoviste - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024