Abdixhiku: Mirësevjen Doarsë!
Lexohet për: 3 min.
305232459_10159104993232759_4325678720725068626_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Deputetja e Doarsa Kica – Xhelili, zyrtarisht u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeten, që deri tash ishte në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, e ka prezantuar sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Përms një njoftimi në rrjetin social Facebook Abdixhiku ka shkruar se, ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara.

Postimi i plotë:

Mirësevjen Doarsë!

Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë.

Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi - për drejtësinë në veçanti - janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara.

Doarsa Kica Xhelili ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Si bursiste e Loyola University në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim, në qendrën e këtij universiteti në Romë. Doarsa, përveçse aktiviste e shoqërisë civile, ishte dhe avokate e shquar brenda dhe jashtë Kosovës. Përvoja e saj në këtë drejtim, e bën atë një aset të çmuar të shoqërisë sonë.

Përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit. Puna e saj aktive dhe profesionale në komisione dhe në publik, ka shtyrë përpara nisma që kanë marrë mbështetje të gjerë qytetare në vazhdimësi.

Doarsa jeton në Prishtinë; është e martuar dhe nënë e një vajze.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024