Abdixhiku: Marrëveshja Kurti-Vuçiq e rrezikshme dhe lëshim i madh
Lexohet për: 7 min.
334905571_1286733448916549_7506254435513672301_n-1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në 33-vjetorin e themelimit të LDK-së në Gjilan sot deklaroi se ndarja e rrugëve përfundimisht me Serbinë është interes nacional për Kosovën.

Ai tha se duhet të merret ky rrugëtim me guxim.

"Çështja e padiskutueshme, më rëndësishme, me të cilën po përballemi të gjithë  është çështje e dialogut. Një proces që, le ta themi që është prioritet për Kosovën. Pra, ndarja e rrugëve përfundimisht me Serbinë për Kosovën është interes nacional, është interes kombëtar, është kërkesë ndërkombëtare dhe ne duhet të marrim këtë rrugëtim me guxim. Mos të frikësohemi siç nuk jemi frikësuar asnjëherë, as në procesin e Rambujesë, as në procesin e Vjenës e as në procesin dialogues në Bruksel, sepse këto procese i kanë sjellë gjithmonë Kosovës dhe lirinë dhe pavarësinë dhe demokracinë. I kanë sjellë projektin më të madh të shqiptarëve në Kosovë, e popullit të Kosovës gjithandej, Republikën e Kosovës. Kemi arritur rezultat të madh, sepse jemi pri prej njerëzve të mëdhenj, jemi pri prej ideve të mëdha, jemi pri prej rugovizmit që në thelb të veprimit politik e ka pas kokëfortësinë për kërkesat e veta.”, tha ai.

Abdixhiku u shpreh se në rugovizëm e në LDK, ka qenë ideja që ta bindin Amerikën për interesat kombëtare të Kosovës. Ai u shpreh se kundërshtarëve historik u kanë treguar se me kë qëndrojnë e janë bashkë. E këtë gjendje ai tha se nuk e kemi sot.

Kreu i LDK-së adresoi kritika ndaj kryeministrit Kurti lidhur me çështjen e dialogut dhe marrëdhënien me aleatë, me ç’rast, potencoi se historikisht edhe për Kosovën është folur bashkë me aleatët.

“Në dy vitet e fundit, qeveria e Kosovës ka vendos të ecë vetë. Më 7 shkurt të vitit 2021, presidenti Biden, pas presidentit Trump i ka dërguar një letër presidentit të Serbisë dhe në këtë letër të 7 shkurtit të vitit 2021, i thotë dy mesazhe të qarta... E para ta përmbushësh procesin obligativ që e ki me Kosovën, pra të bësh dialog, me njohjen në qendër të saj. Kjo ka qenë kërkesa e presidentit Biden siç ka qenë kërkesa e presidentit Trump e besa ka qenë gjithherë, kërkesa e të gjithë presidentëve amerikanë prej fillimit të çështjes së Kosovës e deri më sot. Për dy vite, kryeministri i Kosovës mendonte që mund ta... çështjen e dialogut, pra dialogu është prioriteti i 7-të, i 8-të, i 14-të, s’kom punë me dialog se kam prioritete tjera”, tha Abdixhiku.

Ai foli edhe për pranimin që Kosova i ka bërë përmbajtjes së propozimit evropian për dialogun me Serbinë, të cilin e cilësoi si lëshimin më të madh dhe gabim në procesin e dialogut.

Abdixhiku nënvizoi se marrëveshja është normalizuese kur thuhet Kosova është shtet i pavarur.

“Kjo marrëveshje thotë kështu, nis kështu me këto fjalë: kështu pa paragjykuar pikëpamjet e palëve për statusin. Nga një letë që thotë me njohjen në qendër në të, pa paragjykim për statusin. Është hera e parë në histori të Kosovës që një kryeministër i shtetit të Kosovës pajtohet me mosparagjykimin e statusit politik të shtetit të Kosovës. Ky është dëmi, kështu përfundojmë....Si mundet kryeministri i Kosovës të pajtohet mos me paragjyku statusin e vetë politik, çfarë marrëveshje normalizuese qenka kjo, marrëveshje është normalizuese kur shkruan: Kosova njihet prej Serbisë dhe Serbia njijhet prej Kosovës, pikë ose kur thuhet Kosova është shtet i pavarur.”, u shpreh ai.

Abdixhiku po ashtu tha se kryeministri nuk ka folur asnjëherë për kapërcimin e trashëgimisë mbi të kaluarën.

Sipas Abdixhikut, pajtimi për përmbajtjen e propozimit më  27 shkurt është i rrezikshëm.

“Në nenin shtatë janë dy elemente shumë të rrezikshme për shtetin e Kosovës, kemi provu në Kuvend të ia hapim sytë, t’ia themi se janë elemente të rënda që janë refuzuar në Vjenë, nuk janë Asociacioni, jonë shumë më tepër se aq. Asociacioni sipas kompetencave kushtetuese të Kosovës është i padëmshëm, tjetër çka që kanë ndërtuar një monstrum të frikshëm këta, e tash e kanë vështirë ta përbinë atë. Në nenin 7-të thotë dy gjëra, thotë në një: do të bëhet një organizim me kompetenca vetëqeverisëse për komunitetin serb, pra gjithë komuniteti serb, jo më komunat, po në qoftë se je serb ke kompetenca vetëmenaxhuese, vetëmenaxhon. Është një nivel më i lartë se sa organizmi komunal. Është nivel etnik i organizimit. Dhe e dyta, besoni ose jo, status politik të Kishës Ortodokse Serbe. Çfarë statusi politik brenda shtetit të Kosovës? A i keni përcjell ngjarjet në Mal të Zi, e keni përcjell se si është shkarku një kryeministër nga shumica malazeze atje për shkak se i dha pikërisht status të njëjtë politik Kishës Ortodokse Serbe. Këtë e ka pranu në këtë marrëveshje ky njeri sot. Dhe ky është dëmi dhe rreziku i Kosovës. Është dëm për gjeneratat e ardhshme...Për të gjithë ata që besojnë e mendojnë se LDK-ja do të ketë qëndrime tjera, tash po ju them që ky do të jetë qëndrimi i LDK-së përfundimtar, dhe po të vijë në Kuvend do ta votojmë dhe kundër. Nuk pranojmë një marrëveshje të tillë asnjëherë si Lidhje Demokratike e Kosovës”, shtoi ai.

Kryetari i LDK-së në emër të anëtarësisë së LDK-së, uroi 33-vjetorin e themelimit të degës së LDK-së në Gjilan, me ç’rast, theksoi se është bërë shtyllë e rugovizmit në Anamoravë e gjithandej Kosovës.

Ndërsa, kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri adresoi kritika ndaj qeverisë Kurti dhe nënvizoi se në vitin e tretë të qeverisjes dëshpërimi i madh po preket çdo ditë e më shumë. Sipas tij, kryeministri Kurti solli marrëveshje, e cila instalon status-quo-n.

“Dhe kjo parti vërtet ndryshon prej neve, sepse është e vetmja parti që ka prekë në marzhën e  çdo shqiptari, ka prekë në sofrën e çdo shqiptari, nuk ka arrite me begatu, ka arritë me varfëruar dhe varfëria është po ashtu e prekshme në çdo ditë të jetës sonë… Çka na solli kjo qeveri dhe ky kryeministër që premtoi shumë?....Solli një marrëveshje, e cila instalon status-quo, në raport me ta, nuk zgjedh problemin e fqinjësisë me ta dhe komplikon seriozisht dhe atakon statusin politik dhe territorin tonë dhe të ardhmen tonë si republikë...”, tha ai, duke shtuar se nuk ka pritur më shumë, por tha se nuk ka besuar kurrë që do të arrijnë “ta instalojnë guximshëm që është marrëveshje e mirë”.

Ndërkaq, deputetja Hykmete Bajrami kritikoi qeverinë Kurti për rritje të çmimeve për siç tha ajo “ secilin produkt që ne e konsumojmë në baza ditore është rritë me 50 për qind”. Ajo potencoi se qeveria ka bërë premtim për t’iu rritur pagat qytetarëve, por tha se ia kanë rritë vetvetes.

Ndërkohë, deputetja Doarsa Kiça-Xhelili u shpreh se nuk është pyetja që LDK nuk po bën opozitë, por tha se puna është që në anën tjetër nuk ka njerëz që e kuptojnë kritikën dhe sugjerimin. Ajo tha se Qeveria ia ka ulur pagat drejtësisë në kohën kur siç potencoi ajo, “kanë thënë se do ta bëjnë vetingun”.

Të gjitha këto deklarata u thanë sot për nder të 33-vjetorit të themelimit të LDK-së në Gjilan, ku dega e LDK-së organizoi takim me strukturat dhe qytetarët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024