Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka reaguar pas sulmeve në veri të Kosovës, ku rreshteri policor Afrim Bunjaku mbeti i vrarë nga terroristët serbë. Ai ka thënë se kjo ishte një tragjedi, derisa ka apeluar Kosovën dhe Serbinë që të provojnë pajtimin.
Në një paraqitje për media, Abazoviq ka thënë situata të dielën lehtë mund të kalonte në konflikt më të madh, e i cili do të kishte pasoja të mëdha.
Përkundër faktit se terroristët vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku dhe sulmuan Policinë e Kosovës, Abazoviq mendon se pajtimi është zgjidhja.
"Tragjedi dhe vazhdimi i një politike katastrofike ballkanike... Ne mendojmë se politika e viteve 1990 duhet të marrë fund. Pra, popujt në këto treva kanë provuar gjithçka përveç pajtimit, prandaj apeli im është edhe në raport me popullit serb edhe në raport me popullin shqiptar, më në fund provoni një herë pajtimin. Ju keni provuar gjithçka, përpiquni të pajtoheni, besoj se do t'ju pëlqejë të gjithëve”, ka thënë ai.
Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona. Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh të kalibrave të ndryshëm, eksplozivë, municione dhe logjistikë të aftë për të pajisur qindra persona.